Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se më 12 mars do të jetë dita e pranverës së demokracisë.
Bëhet fjalë për seancën ku pritet të diskutohet edhe mbi raportet e Këshillit të Mandateve për Belinda Ballukun, por njëkohësisht Partia Demokratike ka thirrur protestë para parlamentit.
“12 marsi është një ditë e madhe. Më 12 mars të gjithë shqiptarët para parlamentit. Më 12 mars është dita e pranverës së demokracisë, dita e përmbysjes së madhe të narkoregjimit. Ndajn në ora 10:00 e gjithë Shqipëria te parlamenti. Ne t’i japim përgjigjen e merituar Edvin Kristaq Ramës dhe bandës së tij”, tha Berisha.
Berisha thirrje administratës: Na u bashkoni në 12 mars, ta hedhim në koshin e plehrave të historisë Edi Ramën
“Sot, deputetët e partisë së krimit me në krye kreun e organizatës kriminale, Edi Rama, njoftuan atë, të cilën e priste dhe e dinte çdo shqiptar se ata do përdorin si mburojë Lubi Ballukun për vjedhjet që ka bërë Edi Rama dhe anëtarët e tjerë të organizatës kriminale. Ky është akti më i rëndë, më sfidant, më poshtërues, më fyes për çdo qytetar shqiptar”, tha Berisha.
Gjatë foltores së përjavshme para Kryeministrisë, Berisha u bëri një thirrje të fortë intelektualëve dhe të rinjve për të dalë nga “guacka e konformizmit”.
“Në këtë kuadër unë kam një thirrje të veçantë, në radhë të parë për çdo intelektual shqiptar, të dalë nga guaska e konformizmit të tij. Të mos harrojë kurrë se ai investim i madh që kanë bërë shqiptarët për shkollimin e tij, që kanë bërë prindërit e tij për shkollimin e tij, ka qenë para së gjithash dhe mbi të gjithë që ai të jetë, pavarësisht nga profesioni, të jetë një avokat i pamposhtur i interesave të kombit të tij, i interesave të shoqërisë së tij, i interesave të publikut.
U drejtohem me këtë rast dhjetëra mijëra mësuesve, mjekëve, inxhinierëve, ekonomistëve, juristëve të këtij vendi, konformizmi me këtë regjim është mëkati më i madh i jetës.
Nënshtrimi ndaj këtij regjimi është një gabim i pafalshëm.
Asnjë njeri nuk duhet dhe nuk mundet të konformohet dhe të pajtohet me këto që ndodh. Por para së gjithash dhe mbi të gjithë, ju banorët e shtëpisë së dijes, anëtarët e inteligjencës së këtij kombi, i keni shumë të mëdha përgjegjësitë ndaj tij.
Ju nuk mund të konfirmoheni sepse asnjëri prej jush nuk thotë dot se nuk e kuptoj dot se çfarë po ndodh.
Secili prej jush e ka të qartë se kreu i regjimit po përdor mazhorancën e krimit, po përdor mandatet e krimit si parzmore për të mbrojtur veten e tij nga vjedhjet që u ka bërë qytetarëve.
Asnjëri prej jush nuk mund të pajtohet sepse ju më mirë se të gjithë të tjerët, e keni të qartë se me këto akte, kreu i organizatës kriminale, Edi Rama po mbyll dyert e Europës për shqiptarët, po shkatërron ëndrrën më të bukur që nga Rilindja kombëtare gjer sot të kombit tonë, ëndrrën europianë.
Asnjë prej jush nuk mund të pretendojë se nuk e kupton se kur shkelet Kushtetuta, kur drejtësia asgjësohet, nuk ka më shtet, por ka një bandë, ka një parashtet.
Nuk ka më ecje përpara, por ka kthim në të shkuarën. Ndaj dhe kudo që jeni, në orët e mësimit, tek shtrati i të sëmurit, në zyra, në ndërmarrje, në fabrika dhe në çdo vend, ju duhet të bëheni dalëzotësit e vendit tuaj.
Dhe mos harroni se heshtja juaj është mbështetje e fuqishme, është mbështetja më e fuqishme për kreun e organizatës kriminale që të vazhdojë rrënimin e shkollave tona, rrënimin e arsimit tonë, shkollimit të fëmijëve tanë.
Që të vazhdojë spastrimin etnik tuajin, të intelektualëve. Që të vazhdojë rrënimin e spitaleve tona, shkatërrimin e sistemit të shëndetësisë. Mos harroni se qëndrimi në pushtet ndihmohet më shumë se çdo gjë tjetër nga heshtja juaj. Ndaj dhe dilni në shesh”, theksoi Berisha.













