5 Nëntor 2025
Një fenomen shqetësues po përhapet mes përdoruesve shqiptarë të inteligjencës artificiale. Gjithnjë e më shumë prindër po i drejtohen platformës ChatGPT për të marrë këshilla dhe receta mjekësore, madje edhe për trajtimin e fëmijëve të sëmurë. Mjekët paralajmërojnë se ky është një veprim tepër i rrezikshëm, sidomos në rastet e virozave, ku simptomat mund të përkeqësohen me shpejtësi.
Sipas pediatërve, numri i fëmijëve që paraqiten në gjendje të rënduar në spital është në rritje. Shumë prej tyre janë trajtuar më parë me udhëzimet e marra nga ChatGPT, përpara se prindërit të kërkonin ndihmë profesionale.
“Më së shumti, këto raste i hasim tek nënat e reja,” – thotë mjeku i familjes, Dritan Hoxha. – “Kemi pasur shumë fëmijë të sjellë në urgjencë pas përdorimit të recetave të marra nga ChatGPT. Pasi trajtimi nuk funksionon ose përkeqëson gjendjen, prindërit e pranojnë se kanë përdorur ‘mjekimin’ e ofruar nga ai. Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme për jetën dhe shëndetin e fëmijëve.”
Mjekët theksojnë se në çdo rast sëmundjeje duhet kërkuar këshilla nga specialisti përkatës dhe jo nga programe të inteligjencës artificiale, të cilat nuk mund të zëvendësojnë diagnostikimin klinik.
“ChatGPT nuk mund të dëgjojë mushkëritë, të masë temperaturën apo të vlerësojë gjendjen e përgjithshme të pacientit. Vetëm mjeku, pas ekzaminimit fizik, mund të vendosë trajtimin e duhur,” – shton Hoxha.
Fenomeni nuk kufizohet vetëm te fëmijët. Shumë mjekë raportojnë raste edhe me pacientë të rritur që kanë marrë mjekime të gabuara pas konsultimeve me inteligjencën artificiale.
Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i platformave si ChatGPT për qëllime mjekësore mund të ketë pasoja serioze dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të mos i besojnë diagnozave virtuale, por të kërkojnë gjithmonë ndihmën e profesionistëve të fushës.













