Prindërit mund të jenë shkaktarë të ankthit dhe stresit kronik tek fëmijët, ja cfarë thotë psikologia

E ftuar në Podcast, psikologia e mirënjohur Irma Gjozi diskuton shkaktarët kryesorë të ankthit tek fëmijët, ku thekson situatat sociale brenda ambienteve të shkollës e shpesh herë në familje.

Për fëmijën sic thotë ajo, kritikat dhe pritshmëritë e mëdha të prindit, nga mënyra e perceptimit mund të bëhen shkaktare të stresit kronik, ndërsa situate të ndryshme në familje mund ta cojnë fëmijën drejt ankthit patologjik.

Një shkaktar tjetër sipas psikologes mund të jetë edhe stili i edukimit. “Kontributi që një prind jep për të krijuar një stil të shëndetshëm, pra sa i kujdesshëm është prindi që t’I krijojë fëmijës rutina të strukturuara të gjumit, ushqimit dhe ushtrimeve fizike. Nëse këto rutina strukturohen mirë atëherë fëmija është më pak i predispozuar të përjetojë stress të vezhdueshëm e aq më pak ankth patologjik”- u shpreh ajo.

Shpesh herë, siç thotë Irma, dashur pa dashur prindi përçon ide te tipit: “Më shumë se mami dhe babi nuk të do njeri dhe duhet të ruhesh nga shoku, sepse në një moment apo një tjetër do të zhgënjejë”, kjo mund të krijojë një hipervigjilencë tek fëmijët që shpesh është e panevojshme, duke i bërë këta të fundit shumë të mbyllur dhe asocialë.
Një tjetër situatë që ve në focus psikologia është mënyra si prindi i drejtohet fëmijës me etiketime të tipit “tullumbace”, “qofte”, “bullafiq”, që sipas saj nuk duhen përdorur në asnjë mënyrë.

“Në dëmin më të vogël psikologjik fëmija do ta etiketojë trupin e tij sipas asaj që e ka quajtur prindi, ndërsa në efekte afatgjata ky lloj etiketimi mund të vulosi njëherë e përgjithmonë personalitetin e fëmijës”- shpreh ajo.

Sipas psikiologes prindërit mbi të gjitha duhet të jenë shumë të kujdesshëm në përqasjen edukuese që kanë ndaj fëmijës, duke vlerësuar dhe u kujdesur për rolin e rëndësishëm që kanë në formimin e personalitetit të tij. Ta shmangin qasjen stresit dhe ankthit në jetën e fëmijës duke u informuar mirë mbi faktorët kryesorë që mund t’i shkaktojnë këto të fundit.