Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar këtë të shtunë përbërjen e re të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të Kryeministrit Edi Rama dhe dekretimit të tij më herët. Dekretet për ministrat e rinj i janë përcjellë Kuvendit të Shqipërisë për shqyrtim dhe miratim, si pjesë e procedurës kushtetuese për formimin e Qeverisë së re.
Pasi Kuvendi të miratojë programin dhe përbërjen e Qeverisë, pritet që Kryeministri dhe ministrat të bëjnë betimin në një ceremoni zyrtare në Institucionin e Presidentit të Republikës.
Ndërkohë, në listën e emrave të dekretuar nga Presidenti mungon figura e diskutuar “Diella”, një model inteligjence artificiale që Kryeministri Rama kishte paralajmëruar si ministre të ardhshme për Prokurimet Publike. Kjo mungesë sugjeron se propozimi për përfshirjen e “Diellës” në kabinet nuk është pranuar në këtë fazë.
Kabineti i ri qeveritar i dekretuar përbëhet nga:
– Znj. Belinda Balluku, Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
– Znj. Albana Koçiu, Ministre e Punëve të Brendshme
– Znj. Elisa Spiropali, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme
– Z. Petrit Malaj, Ministër i Financave
– Z. Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit
– Z. Sofjan Jaupaj, Ministër i Mjedisit
– Znj. Mirela Kumbaro Furxhi, Ministre e Arsimit
– Znj. Evis Sala, Ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
– Znj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit
– Z. Besfort Lamallari, Ministër i Drejtësisë
– Z. Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes
– Z. Andis Salla, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
– Z. Ervin Demo, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor
– Znj. Majlinda Dhuka, Ministre Shteti dhe Kryenegociatore
– Znj. Adea Pirdeni, Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
– Z. Toni Gogu, Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
Qeveria “Rama 4” shënon fillimin e një mandati të ri qeverisës, me disa figura të reja dhe rikthime në poste kyçe, por pa përfshirjen e paralajmëruar të teknologjisë si pjesë zyrtare e kabinetit.
