Një baba nga Malajzia është kthyer në simbol të përkushtimit ndaj arsimit të fëmijëve të tij, pasi prej shtatë vitesh kalon çdo ditë detin me varkë për t’i çuar në shkollë dhe më pas rikthehet sërish për t’i marrë. Familja jeton në ishullin Pulau Tioman, në fshatin Kampung Salang, ku mungojnë institucionet arsimore pranë banesës. Për këtë arsye, Jamaludin Musa dhe bashkëshortja e tij Rozalia Bodi kanë zgjedhur të bëjnë çdo ditë një udhëtim të pazakontë, vetëm që dy fëmijët e tyre të mos mbeten pa arsimim.
Çdo mëngjes, në orën 06:30, Armin, 11 vjeç, dhe motra e tij Aida Izabella, 8 vjeç, nisen drejt shkollës. Fillimisht udhëtojnë me motor deri në mol, më pas hipin në një varkë që përshkon detin për 10-15 minuta dhe, pasi zbresin, përdorin një tjetër motor për të mbërritur në shkollën Sekolah Kebangsaan Tekek. Nëse do ta bënin të njëjtin udhëtim në rrugë tokësore, do t’u duheshin rreth katër orë, pasi rruga kalon përmes pyjeve, terreneve të pjerrëta dhe zonave ku mund të hasen kafshë të rrezikshme.
“Pasi i lë në shkollë, kthehem në shtëpi me varkë dhe më pas rikthehem sërish për t’i marrë në përfundim të mësimit. Çdo ditë përdorim tre mjete transporti”, tregon babai. Sakrifica e familjes ka dhënë fryte. Dy fëmijët po arrijnë rezultate shumë të mira në mësime dhe veçanërisht në aktivitetet sportive. Babai tregon se u ka mësuar edhe aftësi bazë lundrimi, pasi kushtet në det mund të jenë të paparashikueshme. Ai kujton se gjatë një prej udhëtimeve motori i varkës u shkëput dhe u detyrua të blinte një të ri.
Historia e familjes është bërë virale në rrjetet sociale.




