Policia Bashkiake e Elbasanit fillon gjobitjen në bulevard, pa njoftim dhe në shkelje

Policia Bashkiake e Elbasanit tashmë mund të vendosë gjoba dhe ka nisur të testojë duke gjobitur automjete përgjatë bulevardit të bllokuar të qytetit. Ditën e premte (10 janar 2025), kur ende kioskat dhe lojërat ishin ende të palarguara dhe bulevardi qëndronte i mbyllur, një urdhër i drejtuesit të Policisë Bashkiake bëri që të gjitha automjetet e parkuara ne hapesiren e përdorur deri të premten si parkim për shkak të  bllokimit të bulevardit, të marrin gjoba në vlerën 1000 lekë.

E gjobitur mes disa automjeteve ishte edhe një grua, e cila ishte duke i lënë disa ilaçe të birit dhe po qëndronte vetëm disa minuta. E irrituar për mënyrën e veprimit të policit bashkiak, gruaja kërkoi që ta denonconte publikisht emrin e tij, i cili edhe pas kontaktimit u justifikua se kishte marrë një urdhër dhe i duhej ta zbatonte.

Ky ishte një veprim që gjeti të habitur shumë qytetarë, që deri tani kishin parë që kjo pjesë e bulevardit të përdorej si parkim pas kufizimit per automjetet. Ata veç vështirësive për të qarkulluar edhe ne atë pak hapësirë të përdorur për të parkuar perballen me kurthin për të vënë gjoba nderkohe qe bulevardi qendronte ende i bllokuar.
Jemi në ditët e para të janarit dhe këto janë gjobat e para të Policisë Bashkiake, që nga forma dhe vendi i veprimit duket se ka vetëm një qëllim, të mbushe arkën e bashkisë dhe të tregoje mungesë totale profesionalizmi duke mos njoftuar, mos paralajmëruar madje duke printuar gjoba pa baze ligjore nisur nga një urdhër i shefit (që shpresojmë të mos “lajthisë” më) e të vazhdojë të japë të tillë urdhra.