Poetja Meri Myftari vlerësohet me Çmimin “Agim Doçi” për tekstin më të mirë për këngë

Poetja dhe autorja Meri Myftari është vlerësuar me Çmimin “Agim Doçi” për tekstin më të mirë për këngë, në kuadër të Festivalit Kombëtar Letrar 2025, i cili u zhvillua mbrëmë në Tiranë.

Ky çmim, që mban emrin e një prej figurave më të dashura të poezisë shqiptare, përbën një moment të veçantë në rrugëtimin krijues të autores.

“Ky vlerësim ka një domethënie të veçantë për mua, duke mbajtur emrin e një ikone të fjalës. Është një motivim i madh për të vazhduar rrugëtimin e fjalës,” – u shpreh poetja pas marrjes së çmimit.

Meri Myftari është një emër i njohur në letrat shqipe. Ajo ka botuar dy libra me poezi nga shtëpia botuese B&B:

Mos i thuaj lamtumirë botës

Fytyrat e kohës, i botuar edhe në gjuhën angleze.

Krijimtaria e saj shtrihet edhe në fushën e muzikës. Kompozitori i njohur Naim Gjoshi ka vënë në melodi tekstin e saj poetik “Moj e vogël”.
Ndërkohë, kënga “Vari leshtë”, me tekst nga Myftari, është shndërruar në një fenomen në rrjetet sociale, duke u bërë virale dhe duke dëshmuar ndikimin e fjalës së saj të drejtpërdrejtë në publikun e gjerë.

Ky çmim i fundit në Festivalin Letrar vjen si një konfirmim i mëtejshëm i Meri Myftarit si një nga zërat më të talentuar, origjinalë dhe të gjithanshëm të poezisë bashkëkohore shqiptare.

Festivali Kombëtar Letrar 2025 u organizua me mbështetjen e producentës Adelina Pali, duke mbledhur krijues nga e gjithë Shqipëria në një mbrëmje ku fjala poetike u bë këngë mes duartrokitjesh dhe emocioneve të sinqerta.