“Po gënjen, ai s’ka punuar…”, zbardhet përplasja e fortë Salianjit dhe Berishës: Tërhiq fjalën gënjeshtar ose dal nga mbledhja

Detaje të reja janë zbuluar nga debatet e zhvilluara me dyer të mbyllura në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, ku një debat i ashpër është zhvilluar mes kreut të PD-së, Sali Berisha, dhe ish-deputetit Ervin Salianji dhe shkaku ka qenë ish-kryetari i degës së PD-së në Kavajë, Hysen Kadiu.

Berisha ka deklaruar se Hysen Kadiu është larguar në Shtetet e Bashkuara për fushatë, duke theksuar se i kishte premtuar një vend të sigurt në listë, por se premtimi nuk u realizua.

Kjo deklaratë është kundërshtuar nga Salianji, i cili ka theksuar se Kadiu ka qenë aktiv në fushatë në mbështetje të PD-së.

Debati është ashpërsuar kur Berisha ka reaguar duke thënë se Salianji “oo gënjen, nuk ka punuar”, deklaratë që ka sjellë reagimin e fortë të Salianjit.

Në debat ka ndërhyrë edhe Bled Himçi, i cili ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Salianjit, duke e akuzuar për standarde të dyfishta në çështjen e firmave për Endri Shabanin.

Nga ana e tij, Salianji ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka qenë aktiv në zona të caktuara dhe duke iu drejtuar me ironi bashkëbiseduesve.

Debati:

Sali Berisha: Hysen Kadiu ka ikur në fushatë në Amerikë. Ia kam premtuar që do jetë në listë të sigurt, por s’e mbajta dot, por ai iku, ma ka thënë.

Salianji: Ka qenë në fushatë dhe ka foto të tij nëpër zona dhe duke bërë thirrje për fushatë për të votuar PD.

Berisha: Po gënjen, ai s’ka punuar.

Salianji: Edhe falë tij jemi 2800 vota para. Fjalën “gënjen” tërhiqe.

Berisha: Jo, nuk ka qenë.

Salianji: Të respektoj si kryetar partie, por fjalën “gënjen” tërhiqeni ose dal nga mbledhja.

Berisha: Ai më ka dërguar SMS vetë.

Salianji: Mendova që sot duhet të flisnim vetëm për skandalin Rama–Balluku. Sot, me këtë, po zhvendosni vëmendjen. Problemi qenka shqetësimi që kanë demokratët dhe jo vjedhjet e qeverisë. Unë erdha t’i bëjmë gjyqin qeverisë, por nëse doni për demokratët, ja e bëjmë. Do më keni me celular në dorë për të denoncuar këdo që bashkëpunon me qeverinë.