ELBASAN – Pas largimit të trajnerit Roberto Bordin dhe humbjes ndaj Vllaznisë, te skuadra verdheblu, tani ka edhe një çështje.
Ardit Hila është pezulluar nga drejtuesit e klubit, sipas shtypit të shkruar. Lojtari thuhet se ka shkelur rregulloren dhe për këtë arsye është dënuar.
Nuk bëhet fjalë për sjelljen në fushë apo në skuadër, por jashtë saj. Ende nuk dihet saktësisht se për çfarë shkelje bëhet fjalë, ndërsa është pezulluar pa afat dhe kjo ishte arsyeja që mungoi në protokollin e sfidës ndaj Vllaznisë në Shkodër, ku Elbasani u mposht 2-1.
Me shumë gjasa futbollisti nuk do të jetë pjesë e skuadrës as për duelet me Partizanin dhe Skënderbeun që do të luhen në këtë muaj, teksa me interes pritet të mësohet se çfarë do të ndodhë mes palëve në merkaton e janarit.
Nëse pezullimi do të vijojë dhe nuk do të ketë një prapakthehu nga ana e klubit, atëherë në janar Hila mund të lihet i lirë për t’u larguar nga Elbasani. Në fakt, edhe edicionin e kaluar në Kategorinë e Parë, kur verdheblutë ishin nën drejtimin e trajnerit Nevil Dede, mesfushori u pezullua për shkaqe disiplinore, por u bë sërish pjesë e skuadrës.
Hila është një nga lojtarët më me eksperiencë të Elbasanit, i cili janarin e vitit të kaluar la Tiranën në Superiore për t’iu bashkuar ekipit të qytetit të tij në Kategorinë e Parë dhe së bashku ia arritën të siguronin ngjitjen në elitë.
