Përshtatën ambientin e marrë me qira për shfrytëzimin e prosti*tucionit në Durrës, në pranga tre persona, tre të tjerë në kërkim

Ndërkohë janë shpallur në kërkim një 42-vjeçar me iniciale A.R, një 30-vjeçar me iniciale M.R dhe një 24-vjeçare me iniciale K.M.

DURRËS- Tre persona janë arrestuar në Durrës dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi përshtasnin një ambien të marrë me qira për shfrytëzimin e prostitucionit.

Mësohet se në pranga kanë rënë një 33-vjeçar me iniciale A.R, një 25-vjeçare me iniciale M.D dhe një 25-vjeçare tjetër me iniciale F.P. Ndërkohë janë shpallur në kërkim një 42-vjeçar me iniciale A.R, një 30-vjeçar me iniciale M.R dhe një 24-vjeçare me iniciale K.M. Gjithashtu gjatë kontrollit u sekuestruan një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga kjo veprimtari kriminale dhe 3 celularë.

Njoftimi i Policisë:

Durrës/Finalizohet pas 4 muajsh hetime me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, operacioni i koduar “Rent”. Zbulohet në lagjen nr. 1, Durrës, një ambient i marrë me qira, i përshtatur për veprimtarinë e kundërligjshme të prostitucionit. Vihen në pranga 3 shtetas dhe vijon puna për kapjen e 3 të tjerëve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Si rezultat i hetimeve të kryera për 4 muaj, me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për një rast të shtrytëzimit të prostitucionit, Seksioni për Hetimin e Krimeve dhe Trafiqeve të Paligjshme finalizoi operacionin e koduar “Rent”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

A. R., 33 vjeç, M. D., 25 vjeçe dhe F. P., 25 vjeçe, të tre banues në Tiranë. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit: A. S., 42 vjeç, M. R., 30 vjeç dhe K. M., 24 vjeçe, të tre banues në Tiranë.

Gjatë operacionit, në lagjen nr. 1, Durrës, në ambientin e marrë me qira, që ishte përshtatur nga shtetasit A. R., M. R. dhe A. S., për ushtrimin e prostitucionit nga shtetaset M. D., F. P. dhe K. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga kjo veprimtari kriminale dhe 3 celularë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prostitucioni”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, të kryera në bashkëpunim.