Përkeqësohet shëndeti i Papa Françeskut, Imzot Gjergj Meta: Lutje në të gjitha meshët për Atin e Shenjtë

Papa Françesku ka përjetuar një krizë të rëndë shëndetësore, duke shfaqur probleme serioze me frymëmarrjen dhe qarkullimin e gjakut.

Në këtë moment të vështirë për Kishën Katolike dhe besimtarët, Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta, ka bërë thirrje për lutje të përbashkëta në të gjitha meshët.

“Zoti i jetës i qëndroftë pranë Papës dhe Nana e Këshillit të Mirë e mbrojtë!” – thuhet në deklaratën zyrtare.

Sipas buletinit mjekësor të ditës së djeshme, specialistët po ndjekin nga afër gjendjen e Atit të Shenjtë, duke konfirmuar se rreziku ende nuk ka kaluar. Ftohja në të dy mushkëritë ka përkeqësuar situatën, duke shtuar pasigurinë mbi përmirësimin e tij.

DEKLARATË PËR SHTYP

Rrëshen 22.02.2025

Të dashur miq,

Në ditën e sotshme Papa Françesku ka pasur një krizë në frymëmarrje dhe probleme me gjakun për shkak të të cilit është ndërhyrë me ndërrim gjaku. Situata nuk është e lehtë dhe mjekët nuk mund të parashikojnë si mund të jetë ecuria e sëmundjes. Edhe në buletinin mjekësor të ditës së djeshme mjekët kanë pohuar se rreziku ende nuk ka kaluar. Ftohja në dy krahët e Papës e ka ndërlikuar gjendjen e tij.

Prandaj ju ftoj të lutemi për Papa Françeskun nesër në të gjitha meshët tona me njet të veçantë.

Zoti i jetës i qëndroftë pranë Papës dhe Nana e Këshillit të mirë e mbrojtë!

Imzot Gjergj Meta

President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.