Në “Air Albania” u luajt derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës, i vlefshëm për javën e 24-t të Superligës.
Ishte me të vërtetë një përballje spektakolare, ku “Demat e Kuq”, të cilët janë dhe kampionët në fuqi, kanë arritur një fitore me përmbysje 2-1.
Derbi kthehet në makth për Tiranën, kryeqyteti mbetet i kuq, me Partizanin që ruan trendin e rezultateve pozitive. Orges Shehi triumfon në derbi, këtë herë si i “dem”, me shpresën që ky sukses ndaj rivalëve të përjetshëm t’i jap sezonit një tjetër shtysë. Tirana vijon ulje ngritjet e forta, por kjo humbje në derbi, i dyti këtë sezon, sigurisht që lë një shije të keq.
Në “Air Albania”, në një atmosferë elektrizuese, me mbi 12 mijë tifozë të pranishëm, derbi nisi “zjarr”, me Tiranën që gjeti golin që në minutën e 7-të.
Ky avantazh nuk do të zgjaste shumë. Fillimisht një 11-metërsh i ekzekutuar nga “bomberi” dibran, Xhuliano Skuka, në minutën e 32’-të të sfidës vendosi baraspeshën.
Më pas, 11 minuta më vonë, në të 43’-të, anësori i sulmit, Tedi Cara, dërgoi topin në rrjetën e Abdullahut, pas një depërtimi të rrufeshëm në zonën e Tiranës, për të “vulosur” fillimisht avantazhin në fundin e pjesës së parë, 2-1, e më tej të të gjithë sfidës, pasi në fraksionin e dytë nuk do të kishte më gol.
Falë këtij rezultati, “Demat e Kuq” të Partizanit ngjiten në kuotën e 40 pikëve dhe tashmë renditen vetëm 8 pikë, larg kryesuesve të Egnatias, me këta të fundit, që në sfidën e radhës do të përballen me “Kuqeblutë” e Vllaznisë, në “Loro Boriçi”. Në krahun tjetër, “Bardheblutë” e Tiranës mbeten në vendin e 4-t të tabelës, me vetëm 34 pikë dhe tashmë rrezikojnë shumë pozicionimin mes katër më të mirave.
