Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, do t’i kërkojë Kuvendit të Shqipërisë të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit të Partisë Socialiste, Vullnet Sina.
Sipas PD-së deputeti Sina ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milion lekë, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e deputetit.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, do ti kërkojë Kuvendit të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit socialist Vullnet Sina. Nga verifikimi i të dhënave të thesarit të shtetit, rezulton se deputeti Sina në kundërshtim flagrant me nenin 70, pika 3 e Kushtetutës, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milion lekë, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e deputetit.
Deputeti Vullnet Sina i shpallur si “deputet kampion” nga Edi Rama në Kongresin e fundit të Partisë Socialiste, rezulton se qënka kampion në përfitimin e parave publike në kundërshtim flagrant me Kushtetutën.
Mocioni, së bashku me të gjitha provat që kompanitë e tij kanë përfituar pagesa miliona lekshe, në mënyrë të vijueshme nga Buxheti i Shtetit, është duke u përgatitur dhe do të dorëzohet gjatë kësaj jave zyrtarisht në Kuvend.“-thuhet në reagimin e PD. TCh