Për herë të parë në shtëpinë më të ndjekur në vend hyn një banor i verbër, Stenaldo Mëhilli bëhet pjesë e BBVA

Sezoni i pestë i “Big Brother VIP Albania” solli diçka ndryshe në historinë e formatit në Shqipëri. Për herë të parë, në shtëpinë më të ndjekur në vend do të jetë pjesë një banor i verbër, duke shënuar një hap domethënës drejt përfshirjes dhe përfaqësimit në televizionin shqiptar.

Pjesëmarrja e tij pritet të sjellë një perspektivë të re në dinamikën e lojës dhe në raportin e publikut me realitetet që shpesh mbeten jashtë vëmendjes mediatike.

Kush është Stenaldo Mëhillli?

Stenaldo Mëhillli ka qenë pjesë e Top Albania Radio. Më herët, ka marrë pjesë në konkurse muzikore si “The Voice of Albania 4”, si edhe në edicionin e fundit të Top Fest me këngën “Flas me Diellin”.

Më pas, largimi në Gjermani për të punuar e ka bërë edhe më të pavarur.

Stenaldo mësoi të gatuante, të orientohej në rrugët e qytetit edhe pse nuk përjashton që në shumë raste është gjendur edhe në rrezik e vështirësi.

Rikthimi në Shqipëri vjen si pamundësi e nënës së tij, për t’u përshtatur me jetesën në Gjermani.

Big Brother-in e ka ëndërruar prej vitesh dhe mendon se do të jetë eksperienca që do i japë një drejtim të ri personal dhe profesional.

“Unë në Big Brother hyj për të qenë i barabartë me të tjetër. Big Brother është mali më i lartë që unë ngjis në hapat e jetës”, është shprehur ai.

Nuk do që të trajtohet ndryshe, ka shumë armë për të luftuar në garë dhe thotë se në asnjë moment nuk do të viktimizohet.

Nuk e sheh veten si përfaqësues të komunitetit të personave me dëmtim të shikimit, por dëshiron të jetë natyrshëm një model pozitiv, që përmes funksionimit të përditshëm dhe arritjeve personale kontribuon në reduktimin e paragjykimeve sociale.

Përveç angazhimit në muzikë dhe media, ai është i përfshirë edhe në çështje sociale dhe aktivitete vullnetare, duke bashkëpunuar me organizata që kanë në fokus përmirësimin e jetës së të tjerëve.