Kallëzim penal pas ngjarjes së paprecedentë që ndodhi në fshatin Katjel, njësia administrative Rrajcë, në bashkinë Prrenjas, ku për dy ditë një anëtare e komunitetit egjiptian nuk u lejua të varrosej në varrezat publike të fshatit, nga kryeplaku me arsyetimin se nuk ishte banore autoktone.
“Pasi morëm vesh për ngjarjen, një pjesë e grupit të Drejtësisë Sociale shkuam në fshat për të ngushëlluar familjarët e të ndjerës të cilët gjatë bisedës na konfirmuan vërtetësinë e ngjarjes.
Për ne, kjo ngjarje kalon çdo kufi human dhe brenda saj mund të konstatohet diskriminimi racial për shkak të etnisë dhe gjendjes ekonomike të familjes, si dhe përdorimi i atij pak pushteti që ka kryeplaku për të kryer një vepër penale, siç është “veprimet që cënojnë nderimin dhe respektin ndaj të vdekurit” si dhe “Nxitja e
urrejtjes dhe e grindjeve, për shkak të racës” të parashikuara nga neni 118 dhe 265 të kodit penal.
Ne si grupim, ditën e nesërme, do të depozitojmë një kallëzim penal në prokurorinë pranë gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm Elbasan.
Gjithashtu, kërkojmë nga institucionet e pavarura që mbrojnë të drejtat e njeriut që ky rast të mos kalojë në heshtje, sepse është një veprim që bie ndesh me çdo parim, kod apo ligj që ka në thelb të drejtat e njeriut. Ky rast duhet të shërbejë si një reflektim për çdo qytetar, që të mos e normalizojë diskriminimin për shkak të etnisë, prejardhjes, gjinisë”
