Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të kujdesit shëndetësor kërkon zgjidhjen e kontratës me rreth 360 farmaci që japin barna me rimbursim për pacientët si dhe ndjekjen e procedurave penale për disa prej tyre me argumentin e faturave fiktive për gati 10 barna.
Në një procesverbal dërguar në disa prej farmacive theksohet zgjidhja e kontratës pa afat.
Pas këtij urdhri ka reaguar Urdhri i Farmacistëve i cili e konsideron këtë veprim si një dënim masiv kolektiv pa prova dhe që duhet tërhequr menjëherë nga drejtuesit e fondit pasi jo vetëm përfshin pothuajse të gjitha farmacitë që kanë kontakte me këtë institucion por nga ana tjetër shkakton kolaps të sistemit farmaceutik, me pasoja mbi pacientët që përfitojnë barna me rimbursim.
Në deklaratën zyrtare të Urdhrit të Farmacistëve theksohet se procesverbalet janë hartuar në mënyrë të njëanshme pa u mbështetur në rregulloren e kontrollit dhe për më tepër procesverbali nuk përmban firmën e titullarit.
“Pretendimi mbi ekzistencën e faturave fiktive është i pabazuar, pasi farmacitë furnizohen vetëm nga importues dhe shpërndarës të kontraktuar me Fondin. Fatura e lëshuar nga depoja, e gjeneruar dhe e regjistruar në sistemin e-depo, nuk mund të konsiderohet fiktive, pasi ky sistem nuk lejon lëshimin e faturës në mungesë të gjendjes së mallit në depo.
Farmacia nuk ka asnjë kompetencë dhe asnjë mundësi tekniko-ligjore për të verifikuar gjendjen fizike të barnave në depo, përgjegjësi kjo që i takon Fondit dhe strukturave të tij kontrolluese”, thotë Urdhri i Farmacistëve.
Ne deklaratë theksohet gjithashtu se kjo procedurë rrezikon furnizimin e pandërprerë të pacientëve me barna dhe stabilitetin e shërbimit farmaceutik në tërësi.
“Ky dënim kolektiv dhe i pabazuar në prova krijon precedent të rrezikshëm, për vazhdimin e marrëdhënies kontrakore Fond-Farmaci.
Pothuajse të gjitha farmacitë që kanë marrë këto shkresa, janë kontrolluar më parë nga Drejtoritë Rajonale dhe nga vetë Fondi, me inventarizim fizik për barnat përkatëse, pa u konstatuar shkeljet e pretenduara. Në këto kushte, për të shmangur kolapsin me furnizimin e pacientëve me barna të rimbursueshme, që mund të vijë nga penalizimet masive apo reagimi në bllok i farmacistëve kërkojmë të ndërpritet çdo procedurë apo veprim administrativ”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë është kundër çdo forme abuzimi apo përfitimi të paligjshëm nga kushdo, por nuk mund dhe nuk do të pranojë penalizime kolektive, veprime arbitrare apo kërcënime penale pa prova dhe pa procedurë ligjore, që cenojnë profesionin, farmacitë dhe interesin publik.
Ndaj kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të Ministrisë së Shëndetësisë për zgjidhjen e kësaj situate.













