PD rikthehet në komisionin e Reformës Territoriale, PS e tërheq draftin me ndryshimet nga rendi i ditës

Partia Demokratike do të rikthehet në Komisionin e Reformës Territoriale, pasi PS ka tërhequr sot draftin me ndryshimet nga rendi i ditës në seancën plenare. Ishte kreu i Grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla i cili kërkoi heqjen nga rendi i ditës ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale.

“Kërkoj ndryshim në rend dite për mosshqyrtim projektvendimin për ndryshimet e për ngritjen e Komisionit Territorial në këtë seancë, besoj ka dakordësi nga të gjitha palët dhe me shpresën që puna do të rifillojë në Komision”, tha Balla.

Balla sjell në Kuvend ligjin e miratuar nga Spanja dhe Australia: JO rrjete sociale për fëmijët nën 16 vjeç

Ndërkohë, demokrati Luçiano Boçi është shprehur se PS duhet të tërhiqet nga ndryshimet në Komisionin e Territoriales, jo vetëm heqje nga rendi i ditës.

“Kërkesa jonë ka qenë e qartë, jo të mos shqyrtohet, ne kërkojmë tërheqja e këtij vendimi, kjo është ajo që kemi kërkuar gjatë kësaj seance, sepse tërheqja tregon vullnetin, nëse doni ta lini ‘as mish as peshk’, atëherë është lojë”, tha Boçi.