PD mbyll fushatën në Elbasan: Më 11 maj çlirohemi nga regjimi i bandave

ELBASAN- Lideri i demokratëve Sali Berisha, duke folur në takimin përmbyllës të fushatës në Elbasan, është ndalur veçanërisht tek shkollimi i fëmijëve. Kryetari i PD-së ka premtuar se, do të ketë zero tolerancë ndaj analfabetizmit. Kreydemokrati tha se do bëhet çdo përpjekje që fëmijët të mbarojnë shkollat 9-vjeçare dhe të gjithë pa përjashtim shkollat e mesme.

“Miq, u ndala në këtë çështje se kjo është një çështje themelore. Në qoftë se të tjerat që numërova marrin përgjigje flakë për flakë në 100 ditë, kjo kërkon kohën e vet. Kjo kërkon punë shumë serioze, shumë të thellë. Kjo kërkon që ta nisim që nga lindja, që nga djepi. Ne nuk e lëmë kurrë kombin në këtë rrokullimë. Ne do e nisim nga djepi. Ne do vëmë për fëmijën e parë 70 euro. Për fëmijën e dytë, 60 euro. Për fëmijën e tretë dhe të katërt do paguajmë nga lindja gjer 23 vjeç. Ka vetëm një alternativë, ose kombi në moshën e rinisë së tij, ose kombi në katakombet e historisë.

Por kjo e dyta nuk do ndodhë kurrë. Sot përsëri do ndalem. Rritet me shpejtësi të madhe analfabetizmi. Zero tolerancë ndaj analfabetizmit. Do bëhet gjithçka që asnjë fëmijë të mos mbetet analfabet. Do bëhet çdo përpjekje që fëmijët të mbarojnë shkollat 9-vjeçare dhe të gjithë pa përjashtim shkollat e mesme. Ne zotohemi se do konsiderojmë në mënyrën më serioze arsimin e mesëm të detyrueshëm për të gjithë fëmijët shqiptarë.
Kombet që e kanë bërë këtë, kanë njohur zhvillim. Kanë pasur përparim. Jo vetëm kaq, asnjë pengesë, dyert e hapura për universitetet. Hiqet mesatarja.

Jeta akademike do rigjallërohet. Autonomia dhe liria akademika do rikthehet në universitetet tona. Universiteti dhe shkolla në tërësi do jetë në partneritet të plotë me sipërmarrjet. Çdo i ri që diplomohet, brenda një viti do ketë punë në sektorin publik ose privat. Qeveria do paguajë një vit sigurimet shoqërore për ta. Sipërmarrësit që punësojnë të rinj nën 30 vjeç, mund të përfitojnë ulje gjer në 70 përqind të taksave. Shteti do krijojë fondin e sipërmarrjes së të rinjve. 10 milionë euro në vit për startupet e të rinjve. 5 mijë euro grant për çdo të ri që nis një biznes dhe kredi të buta më pas për suksesin e tij.

Miq, ose do investojmë për rininë tonë, është investim jetik, vendimtar për ne, përndryshe na pret fati i shumë kombeve të tjera që janë zhdukur në histori. Por ne nuk zhdukemi kurrë. Raca jonë nuk zhduket kurrë. Të rinjtë kanë talente, do mbështesim çdo talent. Do krijojmë një fond të veçantë fillimisht 5 milionë euro për të mbështetur secilin të ri në talentin e tij. Do bëjmë gjithçka që ata 600 e ca mijë të rinj që ikën, të rikthehen në Shqipëri. Pesë vite pa taksa në vendin e tyre,. Për të gjithë çifte te reja, nj çati. Qeveria do garantojë një grant 30 mijë euro që të paguajnë interesat e kredisë. Edhe për ata që kthehen, do u japim grantin, do krijojmë kushte për strehim. Rikthimi i kombit në rini është misioni më i shenjtë që mund të ndërmarrim së bashku. Dhe data 11 maj është datë përcaktuese për fatin tonë, për dinjitetin tonë, për Elbasanin,” tha Berisha.

“Prandaj e quajnë Pashiqi i Shqipërisë”/ Berisha nga Elbasani: Rama u premton të rinjve 2 kg fara kungulli mandatin që vjen!

ELBASAN- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë takimit me qytetarët në Elbasan akuzoi Edi Ramën, se u premton të rinjve 2 kilogram fara kungulli për mandatin që vjen. Berisha gjhithashtu është zotuar se në 100 ditët e para të qeverisjes do të nxjerrë vendin nga mjerimi. Kryedemokrati tha se në 100 ditë do të nxjerrim jashtë çdo votre shqiptare varfërinë e skajshme, ndërsa renditi premtimet për ulje të çmimit të energjisë, naftës dhe ujit. Gjithashtu premtoi rritje pensionesh, rritje të pagës minimale dhe rimbursim 100% të ilaçeve.

“Miqtë e mi, në 100 ditë Shqipëria do ketë listën e ilaçeve që rimburson republika italiane, 100 përqind të rimbursueshme. Zotimi im është për fermerët e Elbasanit dhe Shqipërisë se në 100 ditë do të pesëfishohen subvencionet për çdo fidan, për çdo kokë bagëti, për çdo njësi prodhimi. Se në 100 ditë, taksa armiqësore asimetrike do të zhduket dhe do vendoset njëlloj në shitje dhe blerje. Se në 100 ditë, prodhimet e tyre bujqësore do mbrohen në çdo sezon. Dhe se do investohet, do dyfishohet buxheti për bujqësinë. Jam këtu për t’u dhënë fjalën se në 100 ditë, në spitalet tona nuk do mungojë asnjë ilaç për të sëmurët tanë. Jo dhe jo. Do mjekohen me dinjitet.

Miq, të gjitha këto japin një frymëmarrje të re për çdo njeri. Të gjitha këto krijojnë një mundësi të re për çdo shqiptar. Me të gjitha këto që unë përmenda nuk bëjmë asgjë tjetër vetëm ua kthejmë paratë ju, paratë tuaja, paratë që merren nga taksat tuaja. Dhe kjo është detyrë morale, ligj, Kushtetutë për çdo pushtetar. Të dashur qytetarë të Elbasanit, këto janë jetike. Ne përballemi sot me një rrezik ekzistencial që kurrë ndonjëherë asnjëri prej nesh nuk e kishte përfytyruar. Cili qytetar nga Elbasani apo shqiptar do mendonte se do vinte një ditë që ne jemi këtu, kombi shqiptar të ketë treguesin e lindshmërisë më të ulëtin në botë. Dhe e gjitha kjo për shkak se në 10 vite, 620 mijë të reja dhe të rinj u larguan nga Shqipëria.

Kush mund të mendonte nga ne se sot do kishim rrethe me 13 lindje në një vit. Do kishim qytete si Erseka me një lindje në vit. A nuk është kjo një hata për të ardhmen tonë? Të gjitha këto erdhën me një moto, le të ikin se do vijnë cingaleshë, bangladeshas, etj. A ka qëndrim më armiqësor se ky? Miq, një shtëpi pa të rinj është shtëpi pa të ardhme. Një shtëpi pa djep është derë e mbyllur nesër. E dëgjoja në Tepelenë, kishte një grup të rinjsh përpara, burreci 2 metra i gjatë, dhe u thoshte se në mandatin tonë të katërt, do keni nga dy kg fara kungulli të qëruar në muaj. Ky është vlerësimi.

Unë u garantoj se edhe pushtuesi më i egër joshqiptar po të ishte, në këtë katastrofë demografike nuk do guxonte kurrë t’u thoshte të rinjve se do u servirim mandatin e ardhshëm dy kile farë kungulli në muaj.

Pra, ky është preokupimi. Duke ardhur këtu, një zonjë te kthesa më përshëndeti me grusht. E përshëndeta me dy gishta. Tani më lejoni t’i them asaj zonje: zonjë, ne mund të kemi mendime të ndryshme, por ne kurrë, as unë as ti, nuk mund të jemi për djepin bosh. Nuk mund të jemi që të ikë rinia, ëndrra e Shqipërisë dhe të mbetemi këtu në këtë formë.

Nuk mund të jemi t’u ofrojmë dy kile farë kungulli në muaj. Nuk mund të jemi për cinizma të tilla. Prandaj ata të cilët nuk janë në Shqipëri, nuk janë shqiptarë, Michael Martens nuk është shqiptar, është publicist gjerman i njohur, pikërisht për këto i thotë Edi Ramës, ti je kryeministri më i mirë i Serbisë pas Pashiqit. Sepse nuk mbrohen më mirë interesat e Serbisë se sa t’u thuash të rinjve se do kenë dy kile fara kungulli mandatin që vjen,” tha Berisha.

Berisha prezanton programin në Elbasan: Me 11 Maj do çlirohemi nga ky regjim ku ligjin e bëjnë bandat

ELBASAN- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar takimin përmbyllës të fushatës elektorale për PD-ASHM në Elbasan. Në takimin masiv të mbajtur në Elbasan, kryedemokrati ka prezantuar programin e PD-së dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore. Gjatë fjalës së tij Lideri i opozitës theksoi se me 11 Maj do çlirohemi nga ky regjim ku ligjin e bëjnë bandat. Sipas tij 12 vite në Shqipëri u ndërtua një regjim, i cili jo me hiperkolektivizim, por me mekanizma të tjerë i varfëroi shqiptarët në atë shkallë varfërie si asnjë prej kombeve të tjera përreth.

“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta qytetare dhe qytetarë të Elbasanit, përulem me mirënjohjen më të pakufishme para jush, qytetarëve të mrekullueshëm të këtij qyteti që ka rrezatuar dhe rrezaton dritë, mirësi dhe virtyte në Shqipëri dhe mbarë kombin shqiptar. U sjell përshëndetjet më të përzemërta nga qytetarët e Korçës, të cilët sot në sheshin e tyre furmosën fitoren historike të 11 Majit, triumfin e virtytit, moralit, guximit, besimit të qytetarëve shqiptarë mbi një të keqe të pamerituar që ata përjetuan 12 vite me radhë.

Miqtë e mi, ne shqiptarët jemi të vetmit që pasi u çliruam me guximin tonë nga diktatura më e egër staliniste, 30 vite më vonë ramë në një regjim në të cilin ligjin e bëjnë bandat, e bën qeveria e lidhur me bandat. Në të cilin qytetarët e mirë të Elbasanit, kurrë mos harroni, ai që erdhi në pushtet në vitin 2013, ai kalonte nga një ekran në tjetër me hekura në dorë, u tregonte qytetarëve hekurat duke treguar se është i biri shpirtëror i Enver Hoxhës, është pasardhës biologjik i Spiro Kolekës, njeriut që do thërriste për tanke dhe mitraloza kundër nesh në vitin 1990.

Miq, 12 vite në Shqipëri u ndërtua një regjim, i cili jo me hiperkolektivizim, jo me konfiskime, por me mekanizma të tjerë i varfëroi shqiptarët në atë shkallë varfërie sa asnjë prej kombeve të tjera përreth. Në vitin 2013, ne nuk ishim të mëkëmbur, por qytetarët e Elbasanit, pensionistët e Elbasanit dhe të Shqipërisë, paguheshin më mirë se të gjithë qytetarët e rajonit. Në vitin 2013, njerëzit lëviznin lirshëm, por përsëri shqiptarët në Shqipëri dhe Elbasan, shtoheshin çdo vit e më shumë. Në vitin 2013, ndodhi rotacioni i pushtetit, një akt madhor në demokracinë e çdo vendi. Por u zgjodh pas këtij viti që Shqipëria të mbulohej me drogë dhe krim.

Pas këtij viti pensionet dhe rrogat u ngrinë. Sofra u pakësua. Nuk ushqente më të gjithë anëtarët e familjes.
Vendet e punës filluan të shkatërrohen. Fëmijët, të rinjtë u detyruan të marrin rrugët e dheut. Ligjin e morën në dorë bandat dhe banditët. Miq, ligji, i cili duhet të garantojë liritë dhe të drejtat e qytetarëve, pronën e tyre, u mor në dorë nga ministra, kryeministri dhe bandat e tjera dhe u përdor kundër qytetarëve. Varfëria u rrit nga viti në vit. Çmimet kapën stratosferën. Dhe ne e gjetëm veten përsëri më të keqpaguarit njerëz të rajonit. E gjetëm veten me çmimet më të larta në rajon dhe në botë.

Me mijëra biznese u mbyllën. Me mijëra ferma falimentuan. Në 10 vite, sa asnjë komb tjetër në Europë dhe botë, 45 përqind e shqiptarëve u larguan nga Shqipëria. Pra, ndodhi një rrokullisje që nuk e kishim njohur kurrë në histori. Por është në meritën tuaj, në guximin tuaj, në atdhedashurinë tuaj, qytetarë të Elbasanit dhe Shqipërisë, që rikthyet shpresën këtë pranverë. Që e shndërruat këtë pranverë në pranverën e shpresës, besimit dhe fitores. Ndaj dhe unë kam mirënjohje të pakufishme ndaj jush. Ndaj dhe unë jam sot para jush për t’u dhënë fjalën, për t’u zotuar në mënyrë më solemne se në 100 ditë dhe vetëm në 100 ditë do të nxjerrim jashtë çdo vatre shqiptare varfërinë e skajshme.

Do përjashtojmë mjerimin nga Shqipëria. Se në 100 ditë, çdo pensionist që sot merr një pension në 172 lekë dhe janë rreth 560 mijë, do marrë një pension 200 euro. Se çdo rrogëulët do marrë një rrogë jo më pak se 500 euro.
Se çdo pensionist dhe rrogëulët do marrë ushqimet dhe gjërat bazë 20 përqind më lirë se të tjerët. Se çdo qytetar shqiptar do paguajë energjinë me 7 lekë. Se çdo qytetar shqiptar do ketë një ulje të çmimit të naftës me të paktën 40 përqind. Ndaj jam sot këtu në këtë shesh për një zotim solemn se në 100 ditë, çdo biznesmen i Elbasanit do e paguajë energjinë tre herë më lirë, nga 18 në 6 lekë.

Jam këtu për t’u dhënë fjalën bizneseve të vogla se kurrë bashkitë nuk do tatojnë më shumë se 1 përqind të xhiros. Se sipërfaqja publike do pjesëtohet me 5 herë tarifa e saj. Do përgjysmohet çmimi i ujit për to. Do rritet tavani në 180 mijë euro për tatim fitimin dhe TVSH-në. TVSH-ja do ulet në 15 përqind. Çdo biznes që paguan tatim fitim, do e paguajë vetëm 10 përqind. 13 përqind më pak pra. Çdo rrogëtar që paguan tatim fitimin mbi të ardhurat 23 përqind, do paguajë 10 përqind dhe do ketë një rritje imediate të rrogës me 13 përqind,” tha Berisha.