Partia Demokratike mbledh sot organin më të lartë, Kuvendin Kombëtar, i cili me strategjinë e re, synon të skicojë rrugën e opozitës drejt pushtetit.
Slogani i Kuvendit është “Ripërtëritje” dhe kryetari demokrat, Sali Berisha, ka premtuar hapjen e modernizimin e partisë si dhe përfshirjen e figurave të reja në të gjitha strukturat drejtuese.
Kuvendi nis punimet në orën 10.00 dhe hapjen e tij do ta bëjë Erisa Bajaziti, një prej shqiptareve që jeton në Bruksel dhe kandidoi për PD në zgjedhjet parlamentare si përfaqësuese e diasporës.
Në nisje pritet që delegatët të votojnë për Komisionin e drejtimit të punimeve të Kuvendit dhe Sekretariatin Teknik. Komisioni i drejtimit të punimeve të Kuvendit do të përbëhet nga Ivi Kaso, kryetar, Floriana Garo, Bardh Spahia, Eliona Shkreli, Nada Meçorpaja.
Pas votimit të tyre, atëherë Kuvendi Kombëtar mund të nisë zyrtarisht punimet, në të cilin siç tradita e do, ka edhe një fjalë të kryetarit të PD-së, Sali Berisha. Në Kuvend do të ketë edhe të ftuar ndërkombëtarë të cilët do të mbajnë edhe fjalë, si dhe do të ketë disa video-mesazhe.
Gazmend Bardhi, do të paraqesë para Kuvendit 8 ndryshimet statutore, të cilat do të hidhen në votim. Partia thuajse zhbën të ashtuquajturat primare, pra zgjedhjen e kandidatëve për deputetë apo kryetarë bashkie nga anëtarësia.
Në statutin e ri, ngrihet një komision në parti që seleksionojë propozimet që vijnë, para se të shprehet anëtarësia me votë. Duke pranuar problemet e hershme të listës së anëtarësisë, PD imponon në statut digjitalizimin e listave dhe përditësimin e tyre çdo dy vjet.
Po ashtu, në Kuvendin e PD-së do të votohet edhe 200 emrat e rinj të Këshillit Kombëtar, një proces votimi që do të kryhet në hollin e Pallatit të Kongreseve, gjatë çeljes së fazës së fjalimeve.
Më pas, Këshilli Kombëtar ka detyrën të votojë propozimet e Sali Berishës për ekipin e ri drejtues. Ky këshill do të zgjedhë javën e ardhshme kryesinë e PD, sekretarin e përgjithshëm, nënkryetarët e të gjithë funksionarët e tjerë.




