PD Elbasan hedh poshtë pretendimet e Doris Madhit: ‘U angazhua për PSD. Me votim unanim, u përjashtua’!

Dega e Partia Demokratike në Elbasan ka reaguar ndaj pretendimeve të Doris Madhi, duke i cilësuar ato të pabazuara dhe në kundërshtim me faktet e konstatuara nga strukturat e partisë.

Në një deklaratë zyrtare, PD Elbasan thekson se Madhi nuk ka qenë e përfshirë në fushatën zgjedhore në krah të kësaj force politike, por përkundrazi është angazhuar në mbështetje të Partia Socialdemokrate (PSD).

Sipas kësaj dege, ajo ka bërë thirrje publike në rrjetet sociale që votuesit demokratë të mbështesnin kandidatin e PSD-së në qarkun e Elbasanit, ndërsa gjatë procesit të numërimit të votave në Prrenjas ka qenë e angazhuar si vëzhguese e këtij subjekti politik.

Në vijim, PD Elbasan bën me dije se më 20 janar 2026, kryesia e degës ka marrë vendim unanim për përjashtimin e saj nga anëtarësia, duke u bazuar në Udhëzimin nr. 01 dhe Statutin e partisë.

Sipas deklaratës, ky vendim është marrë për shkak të “shkeljeve të rënda” në veprimtarinë e saj si anëtare e Partisë Demokratike dhe në funksion të respektimit të rregullave statutore dhe transparencës ndaj publikut.

PD Elbasan thekson se publikimi i këtij qëndrimi synon të informojë qytetarët dhe mbështetësit e saj mbi arsyet e ndërmarra ndaj ish-anëtares.

Deklaratë e Degës së Partisë Demokratike Elbasan

Në lidhje me reagimin e znj. Doris Madhi, sqarojmë opinionin publik se:

• Znj. Doris Madhi nuk ka qenë e përfshirë në fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit në krah të Partisë Demokratike.

• Ajo është angazhuar maksimalisht në krah të subjektit politik Partia Socialdemokrate (PSD), duke bërë thirrje publike në rrjetet sociale që demokratët të votonin kandidatin e PSD për qarkun e Elbasanit.

• Gjatë procesit të numërimit të votave në Prrenjas, znj. Madhi ka qenë e angazhuar si vëzhguese e PSD.

Në zbatim të Udhëzimit nr. 01, datë 20.01.2026 dhe në përputhje me Statutin e Partisë Demokratike, kryesia e degës së PD Elbasan ka marrë vendim unanim për largimin e saj nga listat e anëtarësisë, për shkak të shkeljeve të rënda në veprimtarinë e saj si anëtare e PD-së.

Ky vendim është i bazuar në parimet e transparencës dhe respektimit të rregullave statutore, dhe bëhet publik për të sqaruar qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë demokratët.