Kapshticë, 10 prill 2026 – Vijon fluksi i lartë i lëvizjeve në pikën e kalimit kufitar të Kapshticë, ku emigrantët po kthehen nga Greqia për të kaluar festën e Pashkës pranë familjeve të tyre në Shqipëri.
Gjatë 24 orëve të fundit, përmes kësaj pike kufitare kanë hyrë gjithsej 7,475 qytetarë, ndërsa 2,741 persona kanë dalë drejt Greqisë. Edhe gjatë paradites së së premtes është regjistruar një fluks i shtuar lëvizjesh në të dyja drejtimet.
Për menaxhimin e situatës, autoritetet kufitare shqiptare kanë vënë në funksion 3 sportele në hyrje dhe 3 në dalje, ndërsa pala greke po operon me 3 sportele në dalje, me qëllim shmangien e radhëve dhe reduktimin e pritjeve.
Sipas të dhënave zyrtare, që nga fillimi i javës mbi 30 mijë emigrantë kanë hyrë nga Greqia në territorin shqiptar për festat e Pashkës.
Autoritetet kufitare bëjnë me dije se janë shtuar kapacitetet me personel dhe sportele shtesë për të përballuar fluksin e rritur gjatë kësaj periudhe festive.













