Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi e akuzoi presidentin Bajram Begaj se është i punësuar në një rrjet klinikash mjekësore.
“A e dini ju se presidenti, ndërkohë që është president, rezulton të jetë i punësuar dhe merr të ardhura nga një klinikë private mjekësore. Pra, ditën bën presidentin e Republikës, pasdite paguhet nga rrjeti i klinikave private Acibadem siç deklaron vetë të ardhurat çdo vit.
Ky është niveli i presidentit të Republikës dhe ne ndjejmë keqardhje që një individ nuk përmbush asnjë standard etik, integriteti e profesionalizmi sot është kreu i Shtetit.
S’dimë ta quajmë presidenti paradite dhe mjekun pasdite. Nuk kishte ndodhur kjo me asnjë president më parë. Ky është paradite president, dhe pasdite shkon për 200 euro si konsultent në rrjetin e klinikave private”, tha Bardhi.
Sipas Bardhit, presidenti jep mësim edhe te Akademia e Forcave të Armatosura
“Presidenti në vitin 2022, 2023, 2024 deklaron të ardhura nga kjo kompani private. I deklaron dhe e si pedagog, shkon jep dhe mësim se është shumë i ditur. Jep mësim tek Akademia e Forcave të Armatosura. Ku ka lek, do të gjeni Bajram Begajn.”, shtoi Bardhi.
