‘Pagat janë më të ulëtat në rajon’. Berisha: Çmimet janë 10-20% më të larta se vendet e BE-së

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me Departamentin e Çështjeve Sociale të forcës politike, në ambientet e selisë blu.

Diskutimi u përqendrua në pagat, minimumin jetik dhe pensionet.

Ai u shpreh se vendi ynë ndodhet në një situatë problematike lidhur me raportin pagë-çmime, teksa shtoi se Shqipëria nuk ka një minimum jetik.

“Ne së bashku debatojmë për një problem i cili intereson jetën e më shumë se 40% të shqiptarëve, intereson kafshatën, shëndetin, e gjysmës së popullatës në këtë vend. Shqipëria ka një situatë dramatike në raport me shpërndarjen e të ardhurave, ka një situatë dramatike në raportin e rrogave me çmimet, ka një situatë, është vendi i vetëm që nuk ka të përcaktuar një minimum jetik”.

Kryedemokrati u shpreh se çmimet në vendin tonë janë 10% deri në 20% më të larta se në vendet e BE-së

“Ndërkohë, ndërkohë çmimet në këtë vend janë 10, gjer në 17, 20% më të larta sesa mesatarja e çmimeve në vendet e Bashkimit Europian. Faktikisht, nuk ka një vend tjetër me jetë të papërballueshme siç është Shqipëria. Zhvillimet e këtyre 12, 13 viteve të fundit i shndërruan shqiptarët nga qytetarët me rrogat dhe pensionet më të larta në rajon, në qytetarët me rrogat dhe pensionet më të ulëta në rajon”, tha ai.

Duke u ndalur tek pagat, Berisha u shpreh se ato nuk e ndoqën indeksimin e çmimeve.

“Rrogat dhe pensionet në Shqipëri, përveç se disa kategori, e vërteta është që nuk ndoqën as indeksimin e çmimeve. Rrogat dhe pensionet, pavarësisht nga ndërhyrjet e shpallura, sot janë më të ulëtat në rajon. Në rast se bëjmë një krahasim gjejmë se në këtë hark kohor ato janë katërfishuar. Ato janë trefishuar sipas vendit. Kurse në Shqipëri nuk ka njohur as dyfishim po të kemi parasysh indeksin e çmimeve. Faktor më themelor i kësaj rrokullisje të madhe të gjendjes së financave, të gjendjes ekonomike të familjeve shqiptare, është korrupsioni. Është vjedhja e papërmbajtur e pasurive, e fondeve publike dhe pasurive publike në këtë vend“, tha ai.