TIRANË- Me 84 votat pro të mazhorancës, Kuvendi miratoi formulën e re për pagat e magjistratëve. Votimi nuk i dha fund përplasjes mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë. Magjistratët e kanë kundërshtuar projektligjin e socialistëve, i cili parashikon një rritje të pagës referuese me rreth 8,500 lekë, ndërkohë që kërkesa e tyre, e miratuar edhe nga KLGJ dhe KLP, është rreth nëntë herë më e lartë, afro 80 mijë lekë.
Vetë kryeministri Edi Rama ngriti kartonin jeshil në sallë, ndërsa Sali Berisha mungoi në momentin e votimit. Gjatë debatit, Rama u përplas ashpër me opozitën, e cila kishte paralajmëruar votën kundër projektligjit të PS-së, duke e cilësuar atë “puç kushtetues”.
Për t’i dhënë fund kësaj situate, qeveria ka nisur punën për hartimin e një ligji të ri për ribalancimin e piramidës së pagave. Sipas Ramës, me reformën në drejtësi, pagat e magjistratëve u rritën në mënyrë “stratosferike”, duke prishur raportin me pagat e tjera. Ai e cilësoi “lajthitje” kërkesën që pagat e magjistratëve të rriten automatikisht sa herë rriten pagat e punonjësve të tjerë.
“Këtu është nevoja për të bërë një ligj të ri, për t’i dhënë fund kësaj historie, e cila e ka zanafillën e vet në atë moment kur, në bërjen e reformës, nuk u përcaktua koha se kur piramida do të balancohej. Nuk u tha qartë dhe nuk u tha troç që ju do të merrni këtë tani nga taksat e shqiptarëve, shumë më tepër se gjithë të tjerët, sepse reforma kërkon nga ju që të bëni një sforco, por ama kjo nuk do të jetë një rritje permanente. Sa herë të rriten të tjerët, do të rriteni edhe ju, sepse i bie pastaj, siç e thashë në fillim, do të krijonim shtetin e parë në botë. Dhe unë i sfidoj të gjithë të më sjellin, të paktën në 2 mijë vjetët e fundit, një sistem ku gjykatësit kanë qenë mbi të gjithë në aspektin e taksave. Nuk ndodh. Është nonsens”, tha Rama.
Kryeministri bëri të ditur se për ligjin e ri kanë nisur kontaktet me Këshillin e Europës dhe Komisionin Europian për Eficiencën e Drejtësisë.
“Ne kemi filluar kontaktet me Këshillin e Europës, me atë Komisionin Europian për Eficiencën e Drejtësisë. Dhe unë i kam pritur të gjithë këta që i kishit ju në komisionin përkatës, sepse kërkuan takim dhe ne e organizuam takimin. E organizuam takimin sipas dëshirës dhe kushteve të tyre, në kuptimin për t’u dhënë të gjithë mundësinë që të flasin, të flasim dhe për t’u thënë që këtu ka një problem, të cilin do ta adresojmë së bashku. Ne nuk mund të shkojmë në një konflikt pushtetesh dhe ne jemi të gatshëm, jo të gatshëm, por jemi tërësisht të angazhuar që të bëjmë një ligj të ri. Ka një sërë mënyrash për ta bërë, por kjo historia që sa herë rritet një pagë në Republikë, duhet rritur një pagë atje, duhet të marrë fund. Kjo është absurde”, tha Rama.
Rama i tregoi “vijat e kuqe” Gjykatës Kushtetuese, së cilës i tha ka të drejtë të rrëzojë një ligj që shkel Kushtetutën, por jo t’i diktojë Kuvendit formulën që duhet të votojë.
“Gjykata Kushtetuese është arbitri. Ajo mund ta ndalojë lojën, mund të konstatojë shkeljen, mund ta anulojë golin, por nuk mund ta marrë topin dhe të thotë: ‘Topi është imi. Penalltinë do ta gjuaj unë”, tha Rama.
Në shënjestër të Ramës u vunë edhe shoqatat e gjyqtarëve dhe trupa gjyqësore. Kryeministri foli për lëvizje të koordinuara mes tyre, të cilat i cilësoi shqetësuese duke thënë se dëmtojnë Republikën.
të thuash që në atë datë lindi befas një pushtet tjetër, i cili përcaktoi atë që në fakt mund ta përcaktojë vetëm ligji, dhe nga ana tjetër të shohësh një ndërveprim shoqatash me trupën gjyqësore të Shqipërisë, të shohësh lëvizje të koordinuara, të shohësh këtë organizim është jashtëzakonisht shqetësuese. Të gjitha zhvillimet në këtë drejtim janë zhvillime që e dëmtojnë Republikën e Shqipërisë, nuk janë zhvillime që e ndihmojnë”. vijoi Rama.
Por për opozitën, formula e socialistëve nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese. PD e cilësoi projektligjin ‘puç kushtetues’ dhe votoi kundër tij.
“Gjykata Kushtetuese i dha Kuvendit katër muaj kohë që ta zgjidhte çështjen përpara se vendimi i saj për shfuqizimin e ligjit të pagave të hynte në fuqi. Pra, u tregua tërësisht e përgjegjshme, ndryshe nga ty dhe nga ky Kuvend që u tregua tërësisht i papërgjegjshëm”. tha Bardhi.
Kriza e pagave në sistemin e drejtësisë kulmoi pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP vendosën që nga 1 gushti paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, plus 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin. Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat me këtë përllogaritje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit.




