Numërimi drejt fundit/ Xhaçka kalon në epërsi ndaj Gjylametit në Tiranë, si renditen kandidatët e tjerë

Numërimi i votave në Shqipëri po shkon drejt fundit. Sipas të dhënave të KQZ-së kanë mbetur 2,985 zarfe të ardhura nga diaspora për t’u hapur.

Ndërkohë gara më e fortë është brenda “shtëpisë” e sidomos brenda Partisë Socialiste.

Në Tiranë, ish-ministrja Olta Xhaçka po kryeson vetëm me 2 vota më shumë. Sipas të dhënave në KQZ-së, Olta Xhaçka ka 5806 vota ndërsa kolegia e saj socialiste, Blerina Gjylameti 5804.

Garë e fortë edhe mes Ornaldo Rakipit dhe Xhemal Qefalisë. Shpesh gjatë numërimit ata bënë “rrokada”, herë duke dalë herë njëri para e herë tjetri, por duket se votat e diasporës po konsolidojnë pozitat e Rakipit.

Ky i fundit ka 189 vota më shumë se deputeti veteran i Partisë Socialiste.