‘Nuk vazhdohet me bashki kokë-këputur’! Rama: Shkarkimi i Veliajt i detyrueshëm! Nisim punën për zgjedhjet e reja

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sot vendimin e Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Erion Veliajt, teksa njëkohësisht ka prezantuar edhe kandidaten e re socialiste për zgjedhjet e reja, Ogerta Manastirliun.

Në mbledhjen me deputetët dhe ministrat, Rama thumboi opozitën për sulmet dhe shpifjet sipas tij ndaj Veliajt, por tha se ai nuk komenton proceset e drejtësië.

Rama prezantoi Ogerta Manastirliun dhe u shpreh optimist për fitoren, sipas sondazheve të kryera prej tyre në Tiranë.

“Pas 7 muajsh pa një kryetar bashkie të votuar në krye të detyrës dhe po ashtu pa një kryetar bashkie të dënuar nga drejtësia në lidhje me detyrën, u detyruam të marrim një hap të debatueshëm por të detyrueshëm për fatin e kryeqytetit të Shqipërisë. Këshilli bashkiak, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja dhe rindëzjes me orë të plota të makinerisë së Bashkisë Tiranë.

Janë thënë dhe llomotitur shumë gjëra lidhur me këtë hap, por nuk ia vlen të merremi as me ata të cilëve iu ka rënë Diella në kokë, as me ata të cilët shumica parlamentare detyrohet të kalojë në votimin e programit, pasi ndalohet t’ja paraqesë programin me metodat famëkeqe të rrylave të fytit dhe bërrulave në sallën e Kuvendit, dhe as me ata që tre herë rresht nuk e mundën dot Erionin me karikaturat e tyre mediatike që sot fryjnë gjokset me sebepinë një letre anonime ndaj një kundërshtari me duar të lidhura dhe këmbë.

Qoftë tezgat dhe pasqyrat lincuese ndaj tij, qoftë procesi i drejtësisë kundër tij nuk janë tema ku ne mund të ndërhyjmë si palë. Tema jonë si palë e përgjegjshme në jetën e këtij vendi, është që mos të marrë peng pafundësisht kryeqytetin e Shqipërisë dhe punët e tij.

Tema jonë është që të adresojmë pa humbur kohë boshllëkun përditë e më të dëshpëruar në Bashkinë e Tiranës. Qytetarët e Tiranës nuk mund të bashkëjetojnë me një Bashki kokë-këputur. Krahas të gjitha punëve të tjera, të nisim punën për zgjedhjet e reja në Tiranë. Ku me kandidaten e duhur, me angazhimin e duhur do të marrim rezultatin e duhur. Edhe në anketimin që kemi bërë ditët e fundit enkas për Tiranën, është e qartë që qytetarët nuk e kanë mendjen në ndonjë kandidat, por e kanë te problematikat që kërkojnë zgjidhje.”, tha Rama.