Nis vlerësimi i dëmeve nga zjarri në Gramsh, prefekti ngre grup pune

Screenshot

Bashkia e Gramshit ka nisur procesin e vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga zjarri masiv që përfshiu Njësinë Administrative Skënderbegas, duke angazhuar tetë grupe pune që do të operojnë njëkohësisht në terren.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i bashkisë, Besnik Ajazi, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook. Sipas Ajazit, falë mbështetjes së Prefektit të Qarkut Elbasan, Ilir Bejtja, dhe bashkëpunimit me bashkitë e tjera të qarkut Elbasan, Librazhd, Cërrik, Prrenjas, Peqin dhe Belsh është siguruar asistencë teknike dhe njerëzore për përballimin e kësaj situate emergjente.

“Grupet janë të përbëra nga inxhinierë, topografë, veterinerë dhe agronomë, të cilët do të verifikojnë në terren dëmet në banesa, pajisje shtëpiake, bagëti dhe kultura bujqësore,” shkruan Ajazi.

Sipas tij, dosja e plotë me të gjitha dëmet e evidentuara do të jetë gati brenda një jave dhe do t’u dorëzohet institucioneve përgjegjëse si dhe donatorëve që kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në përballimin e pasojave.

Zjarri i ditëve të fundit në zonën e Skënderbegasit ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa komuniteti lokal përballet me pasoja të rënda ekonomike dhe sociale.