Ka nisur shitja e dorës së parë të qeshive në fshatin Godolesh të Elbasanit. Prej brezash banorët e këtij fshati e kanë kthyer në traditë kultivimin e këtij fruti duke e bërë Gogoleshin të njihet ndryshe si fshati i qershive.
Për këtë vit banorët kultivues shprehen se çmimi i një kg për tregtarët varion nga 150- 250 lekë të reja. Ata thonë se në rritjen e çmimit të shitjes së këtij produkti në treg ndikon kostoja e lartë që paguajnë për rritjen dhe kujdesin e pemës së qershisë, që nga vaditja e pesticidet, ndërsa shprehen se nuk kanë marrë asnjë subvencion nga ana e qeverisë.
“Nuk arrijmë të nxjerrim kurrë shpenzimet, punojmë sa për të mbijetuar. Nga qeveria nuk njohim asnjë mbështetje”- shprehet një fermer.
Për kultivuesit e qershive ky vit ka pasur më pak prodhim, krahasuar me një vit më parë dhe kjo situatë vjen për shkak të reshjeve të dendura dhe motit të paqëndrueshëm.
“Fshati ynë ka patur gjithmonë qershi, por problem është tregu, shumë dobët”- shprehet një tjetër.
Tregtarët nga ana tjetër shprehen se se janë të detyruar ta rrisin çmimin e shitjes së qershisë në treg në mënyrë që të mbulojnë kostot e transportit, por kjo ul ndjeshëm fuqinë blerëse.
