Nis Kupa e Botës për Klube

Nis Kupa e Botës për Klube në SHBA. Përpara ndeshjes Inter Miami-Al Ahly, u zhvillua një shfaqje show e organizuar nga FIFA, duke i emocionuar spektatorët… Ajo hapi zyrtarisht edhe eventin e madh veror të sportit.

Notat e Swae Lee dhe French Montana në mes të shfaqjes klasike të fishekzjarrëve. Infantino në tribuna me fenomenin Ronaldo, Roberto Baggio dhe David Beckham.

Premiera e parë e madhe e Kupës së Botës për Klube në formatin e ri përfundoi me një barazim pa gola (0-0), por që ishte gjithçka përveçse i mërzitshëm. Portieri veteran Óscar Ustari ishte hero i Interit të Lionel Messit, duke pritur një penallti vendimtare në fundin e pjesës së parë, ndaj egjiptianit Trezeguet.

Ustari, tashmë 38 vjeç, dikur i njohur për eksperiencën me Getafen (2007–2012), tregoi se ende ka shumë për të dhënë në skenën ndërkombëtare. Ai u bë protagonist absolut në një pjesë të parë ku Al Ahly dominoi ndeshjen dhe krijoi rastet më të mira.

Skuadra egjiptiane, e drejtuar nga trajneri galician José Riveiro, ishte dukshëm më e mirë në 45 minutat e para. Ata kishin një gol të anuluar, penalltinë e humbur dhe disa raste të tjera të rrezikshme përballë një Interi që u mbajt në lojë falë pritjeve të Ustarit dhe ndërhyrjeve vendimtare në mbrojtje.

Në krahun tjetër, Lionel Messi nuk arriti të bëjë diferencën në pjesën e parë, në një skuadër ku dominonin bashkëkombasit e tij argjentinas (gjashtë në formacion) dhe ku Luis Suárez po lufton për të shfrytëzuar rastet që i vijnë në zona të ngushta. Gjithsesi, gjithçka ndryshoi pas pushimit.

Duket se Javier Mascherano, në rolin e trajnerit të Interit, reagoi fuqishëm në dhomën e zhveshjes. Interi u rikthye në fushë me një tjetër ritëm, dhe Messi mori drejtimin e lojës. Ai afroi më shumë se një herë golin, veçanërisht me një goditje dënimi që u ndal në shtyllë. Pavarësisht mungesës së shpejtësisë që e karakterizonte dikur, Messi vazhdon të jetë një artist në fushë – me vizion, prekje dhe liderizëm.

Përplasjet fizike ndaj tij ishin të shumta dhe një ndërhyrje e rëndë ndaj tij në pjesën e dytë ndezi polemika, ndonëse gjyqtari nuk ndau ndëshkime të rënda. Një moment tjetër kritik ishte në minutën e 38-të, kur Avilés i Interit i shpëtoi kartonit të dytë të verdhë – një vendim që nuk u prit mirë nga kampi egjiptian.

Ndeshja përfundoi me një ritëm të ulët në çerekun e fundit, me disa tentativa nga këndi nga Messi dhe një gjuajtje të fundit që goditi traversën. Barazim pa gola, por me intensitet dhe cilësi në momente kyçe – një hyrje dinjitoze në një turne që synon të sjellë dimension të ri në futbollin e klubeve në nivel global.