Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në seancë plenare ku mazhoranca kërkon të vijojë punën pa 24 deputetët e përjashtuar të opozitës, teksa kjo e fundit ka paralajmëruar mosbindje civile. • Në rendin e ditës është parashikuar një interpelancë me ministren e Kulturës dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, e thirrur nga deputeti Agron Shehaj. • Po në seancën e sotme do të jetë dhe raporti vjetor për KLSH-në dhe disa projektligje të tjera. • Para nisjes së seancës plenare, ku opozita pritet të vijojë me aksionin e saj, Partia Demokratike ka mbledhur grupin parlamentar në selinë blu në orën 08:30. • Në mbledhje mund të diskutohet për mënyrën sesi do të zhvillohet aksioni i ditës së sotme.• Ndërkohë, Garda ka shtuar masat para institucionit duke vënë një gardh metalik në hyrje të godinës së Kuvendit. • Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, si dhe një prej deputetëve të përjashtuar nga Kuvendi në radhët e opozitës pas revoltës së 30 shtatorit, ka reaguar në rrjetet sociale pas informacioneve se hyrja e Parlamentit është bllokuar nga një gardh metalik. • Teksa ka postuar një video, Bardhi shkruan se dera kryesore e Kuvendit është e rrethuar me hekura dhe me më shumë forca sigurie sesa deputetë. • Ai shton se Shqipëria bëhet kështu vendi i vetëm, që nga njëra anë është vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian, dhe nga ana tjetër rrethon hyrjen kryesore të Kuvendit për ta mbrojtur nga deputetët “armiq”!














