“Në vend të Dash Sulës u vendos Klodiana Çapja”/ Berisha: S’kishte vend për të dy në listë të mbyllur

TIRANË- Kreu i PD, Sali Berisha ka komentuar mënyrën se si ka zgjedhur listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike. I ftuar në emisionin “Top Story” në Top Channel, Berisha tha se ka një standard në vendosjen e emrave në lista. Pyetjes pse në listën e mbyllur nuk ishte Dashnor Sula, Berisha u përgjigj duke thënë se në vend të tij u vendos Klodjana Çapja, gruaja më e votuar nga Primaret në qarkun e Elbasanit.

“Kjo është vetëm aparencë. Nëse studiojmë atë listë del ndryshe, në listën e mbyllur janë kryetari dhe sekretari i përgjithshëm i partisë që ka një rol të pazëvendësueshëm. Vokshi ka një përkushtim shumë të madh dhe efecientë të madhe. Është Topalli, pra, ka qenë kryetare parlamenti dhe koordinatore për diasporën. Është Belind Këlliçi, Klevis Balliu, më i votuari i kandidatëve në Tiranë. Është vetëm një ministër, që është Flamur Noka. Është dhe Mediu që është aleat. Po të shkosh në parlament kudo në botë, gjen deputetë të rinj, por ka dhe deputetë të vjetër. Paloka kaloi një jetë të tërë në politikë. Edi Paloka, një gazetar i ditëve të para të lëvizjes, është kryetari i Parlamentit të PD, për këtë arsye u vendos në atë pozicion. Këlliçi është i ri, Besart Xhaferi, Klevis Balliu, Tedi Blushi. Më i votuari në Elbasan ishte Dash Sula nga meshkujt, por ishte dhe Capja nga gratë. Për gratë ke një standard tjetër dhe je i detyruar të vendosësh 1 në 3, grua. Klodiana Çapja doli më e votuara nga gratë në qarkun e Elbasanit,” tha Berisha.