Në Policinë e Shtetit pritet të ketë ndryshime të rëndësishme në drejtimin e tre qarqeve: Elbasan, Korçë dhe Shkodër. Drejtori i Përgjithshëm, Ilir Proda, ka hapur zyrtarisht garën për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj, në kuadër të procesit të rifreskimit të strukturave drejtuese.
Për pozicionet vakante kanë aplikuar disa emra të njohur të trupës policore, mes tyre Loard Sallaku, Uljan Shpataraku, Islor Islami, Alban Çela dhe Dritan Lena.
Loard Sallaku, oficer me 21 vite karrierë dhe aktualisht drejtor i komanduar në Policinë e Kukësit prej pesë muajsh, shihet si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Policisë së Elbasanit, falë eksperiencës dhe rezultateve të tij.
Në Korçë, kandidat i fortë për pozicionin e drejtorit është Uljan Shpataraku, me mbi 15 vite përvojë në Polici. Posti në këtë qark mbeti vakant pas shkarkimit të Erjon Ahmetit nga Proda, për rezultate jo të mjaftueshme. Ndërkohë, në Shkodër, Gentian Berberi – fitues i konkursit të një viti më parë dhe aktualisht drejtor i komanduar pas largimit të Fatmir Lleshit – pritet të konfirmohet në detyrë me emërim të plotë
Sa i përket Kukësit, drejtimi i qarkut mund t’i besohet njërit prej tre kandidatëve: Islor Islamit, Alban Çelës ose Dritan Lenës, të cilët janë pjesë e listës së aplikantëve në garën e hapur një muaj më parë.













