Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç doli në konferencë para ndeshjes ndaj Flamurtarit.
“Normalisht jemi të bindur që do të jetë një ndeshje e fortë ndaj Flamurtarit, pasi në shtëpinë e tyre luajnë edhe më mirë dhe besoj se do të jetë një atmosferë e bukur. Ne jemi gati për luftë dhe të shohim si do të dalë, në fund do fitojë ai që do të paraqitet më mirë. Nuk na tremb fakti që kanë mundur Vllazninë, por kemi shumë respekt për Flamurtarin. Java e kaluar tregoi edhe njëherë se kampionati shqiptar është shumë i fortë dhe nuk ka shumë diferenca mes skuadrave. Di të them që i dimë pikat e dobëta dhe të forta të Flamurtarit, por do të provojmë në fushë për të dalë me një rezultat pozitiv”, u shpreh fillimisht Ivan Gvozdenoviç.
EKIP KONSTANT – Ai vlerëson faktin që elbasanasit kanë qenë një skuadër konstante përgjatë tri fazave të para, gjë që shpreson të ndodhë edhe në të fundit. Sipas teknikut, vazhdimësia në rezultate dhe në paraqitje ka qenë një nga pikat më të forta të skuadrës gjatë këtij sezoni. “Edhe në fazën e katërt do të provojmë të bëjmë sa më mirë, duke parë që në tri fazat e para ishim shumë mirë me vazhdimësinë. Do përpiqemi të marrim pikët maksimale dhe të shpresojmë për të marrë rezultatin pozitiv”, vijoi më tej tekniku i Elbasanit.
NOTA E SKUADRËS – Në fund, Gvozdenoviç nuk preferon të japë nota për kampionatin që kanë bërë deri tani, duke theksuar se kjo do të ndodhë vetëm në përfundim të sezonit. “Të them të drejtën nuk mund të flas shumë tani për këtë gjë. Ndoshta, kur të mbarojë kampionati dhe kupa, atëherë mund të them për notë. Tani ne do të rrimë të përqendruar, të qetë, me këmbë në tokë dhe në fund të gjithë bashkë mund t’i vendosim një notë”, mbylli prononcimin e tij për mediat Ivan Gvozdenoviç. Verdheblutë pritet të kenë me vete edhe një suport të tifozëve në këtë transfertë, të cilët pritet të jenë në numër të konsiderueshëm në qytetin e Vlorës. Sakaq, mungesa e vetme për shkak kartonësh është sulmuesi Blaise Tsague, ndërsa Ibrahima Diallo vijon i dëmtuar. Stafi teknik shpreson që skuadra të reagojë mirë edhe në këto kushte dhe të arrijë të marrë një rezultat pozitiv në këtë sfidë të rëndësishme.













