Ndahet nga jeta Xhevahir Taushani, një ikonë e futbollit elbasanas dhe atij shqiptar të viteve ’60

Ka ndërruar jetë Xhevahir Taushani, një nga figurat më emblematike të futbollit në Elbasan dhe në Shqipëri gjatë viteve ’60. Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka sjellë një ndjenjë të thellë trishtimi tek komuniteti sportiv dhe sportdashësit shqiptarë.

Taushani nisi karrierën e tij që në moshë të re, duke u afirmuar shpejt si një mbrojtës i fortë, i disiplinuar dhe me personalitet të spikatur në fushën e lojës. Për dy sezone ai veshi fanellën e Dinamos së Tiranës, duke dhënë një kontribut të çmuar në elitën e futbollit shqiptar dhe duke fituar respektin e gjerë të komunitetit sportiv.

Falë aftësive dhe përkushtimit të tij, Taushani u bë pjesë edhe e ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë, ku mbrojti ngjyrat kuqezi me dinjitet e krenari.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai vijoi të kontribuojë në sport si drejtues pranë klubit të Elbasanit, duke dhënë ndihmesën e tij në edukimin e brezave të rinj dhe në zhvillimin e mëtejshëm të ekipit lokal.

Kujtimi për Xhevahir Taushanin do të mbetet i gjallë në zemrat e sportdashësve, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin nga afër. Figura e tij do të ruhet me nder dhe respekt si një nga shtyllat e futbollit elbasanas dhe shqiptar.

Elbasani dhe futbolli shqiptar i përkulen me mirënjohje figurës së tij të paharrueshme.