Ka ndërruar jetë sot në moshën 94-vjeçare Emilio Fede, një nga figurat më të njohura të gazetarisë televizive italiane.
Fedela ka ndërruar jetë në spitalin San Felice në Segrate, pranë Milanos.
Gjendja e tij shëndetësore, u përkeqësua në mënyrë të papritur gjatë orëve të fundit, duke bërë që vajzat e tij, Sveva dhe Simona, të jenë pranë tij në momentet e fundit.
Emilio Fede lindi më 24 qershor 1931 në Barcellona Pozzo di Gotto, Messina, dhe zhvilloi një karrierë mbi 70-vjeçare në gazetari.
Ai nisi në shtypin e shkruar, më pas kaloi te RAI si korrespondent special dhe drejtor i TG1, për të vazhduar më pas drejtimin e gjatë të TG4 nga viti 1992 deri në 2012. Ai themeloi gjithashtu Studio Aperto në vitin 1991.
Fede ishte një nga figurat ikonike të televizionit italian, një karrierë që filloi në RAI në vitet 1960, si korrespondent lufte, vazhdoi si drejtor i Tg1, dhe më pas me ardhjen e tij në ”Fininvest”, ku Silvio Berlusconi e emëroi për të drejtuar Tg4.
Për 20 vjet, nga 1992 deri në 2012, edicioni i tij i lajmeve ishte zëri më hapur pro Berlusconit në ekranin televiziv, i dashur dhe i urryer, ndonjëherë karikaturizuar, por padyshim i dallueshëm për tonin e tij gjithmonë të tepruar.
“Jam redaktori më i kritikuar, por edhe më i ndjekuri”, pretendonte ai.
Stili i tij i drejtpërdrejtë dhe personal, shpesh i shoqëruar me komente editoriale, la një gjurmë të pashlyeshme në televizionin italian.
Me editorialet e tij, Fede mishëronte një epokë televizive dhe një stil unik të gazetarisë.
Karriera e tij profesionale përfundoi papritur në 2012, kur ai u largua nga ”Mediaset”, pas përfshirjes së tij në hetimin e skandalit ”Ruby”.
Vitet e fundit të jetës i kaloi larg reflektorëve.
Periudha e fundit e jetës së tij u ndikua gjithashtu thellë nga humbja e Dianës De Feo, gazetare dhe më pas deputete e ”Forza Italia”, me të cilën u martua në 1963 dhe mbeti bashkëshortja e tij për afro 60 vjet.
Ajo vdiq në qershor 2021. Vdekja e Dianës ishte një goditje e rëndë për Feden. Ai vetë e quajti këtë humbje si dhimbjen e tij më të madhe.
Gazetaria italiane humbet kështu një nga figurat më ikonike, të cilin do ta kujtojnë për profesionalizmin dhe karakterin unik që e shoqëroi gjatë gjithë karrierës.
