Liderët e NATO-s ishin mbledhur në Hagë për samitin e radhës, ku vendimi më i rëndësishëm që u mor ishte angazhimi që çdo shtet duhet të rrisë investimet në fushën e mbrojtjes në masën 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, deri në vitin 2035.
Gjithashtu u ritheksua Neni 5 i NATO, sipas të cilës, sulmi ndaj një shteti të aleancës nënkupton sulm ndaj gjithë NATO-s.
Po kështu, në deklaratën përfundimtare, në pikën e fundit, u përmend edhe Shqipëria që do të presë samitin e radhës të NATO-s.
“Në fund të deklaratës, u shpreh falenderim për mikpritjen bujare të Mbretërisë së Holandës, ndërsa u konfirmua se samiti i radhës do të mbahet në Turqi në vitin 2026, i pasuar nga një samit tjetër në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.
Lajmin e ka ndarë në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama, sipas të cilit ky vendim u mor në mënyrë unanime në samitin e 24-25 qershorit në Hagë.
“Hagë, Samiti i NATO-s vendosi unanimisht organizimin e tij në Tiranë në 2027”, shkruan Rama në rrjetet sociale duke ndarë edhe foto nga takimi.
Samiti i NATOS pritet të sjellë në Shqipëri, liderët e vendeve më të fuqishme të botës, mes të cilëve edhe presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
