Napoli kampion i Italisë për herë të katërt

Napoli, 23 maj 2025 – Napoli është shpallur kampion i Serie A për sezonin 2024/2025, duke fituar në javën e fundit të kampionatit me rezultatin 2-0 ndaj Kaljarit. Fitorja i dha fund garës për titull, pavarësisht suksesit të Interit ndaj Komos.

Skuadra e Antonio Contes kishte nevojë për tri pikët në fushën e saj për të mos rrezikuar, dhe që në fillim e kërkoi me ngulm avantazhin. Portieri Alen Sherri, titullar për Kaljarin, bëri disa pritje vendimtare, por në fundin e pjesës së parë nuk arriti të ndalte një goditje spektakolare nga Scott McTominay, që çoi Napolin në epërsi 1-0.

Në pjesën e dytë, ishte Romelu Lukaku ai që shënoi golin e dytë dhe vulosi fitoren dhe titullin kampion për ekipin napolitan – i katërti në historinë e klubit dhe i pari nën drejtimin e Contes.

Ky sukses vjen si një mrekulli për tifozët, në një sezon ku Napoli nuk konsiderohej favorit për titull, por tregoi forcë, karakter dhe vazhdimësi deri në fund.