Murtaja e bagëtive përhapet edhe në qarkun e Korçës

Është konfirmuar vatra e parë e murtajës së ruminantëve të vegjël në qarkun e Korçës, konkretisht në fshatin Shuec të bashkisë Devoll. Rasti është zbuluar në një fermë lokale ku disa kafshë kanë shfaqur simptoma të sëmundjes.

Aktualisht, në terren ndodhen përfaqësues të shërbimit veterinar që po zbatojnë masat e nevojshme si izolimi i fermës, dezinfektimi dhe marrja e mostrave për analizë.

Murtaja e ruminantëve të vegjël është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek delet dhe dhitë, me pasoja të rënda për shëndetin e kafshëve dhe me ndikim të madh ekonomik për blegtorët e zonës. Autoritetet janë në gatishmëri për të frenuar përhapjen e saj në zona të tjera.