“Mos u dorëzoni asnjëherë”, Harris pranon humbjen: Duhet të pranojmë rezultatin e zgjedhjeve

Kamala Harris është ngjitur në podiumin e Howard University në Uashington për të mbajtur fjalimin e saj.

Zëvendëspresidentja u prit me duartrokitje të shumta teksa u buzëqeshi mbështetësve të saj e shoqëruar nga kënga “Freedom” e Beyoncé që u kthye edhe në himnin e fushatës.

“Zemra ime sot është plot”, ishte nisja e fjalimit të Harris. “Plot mirënjohje për besimin që më keni dhënë, plot dashuri për vendin tonë dhe plot me vendosmëri”.

Ajo vijon duke thënë se rezultati i zgjedhjeve nuk ishte ai për të cilin kishte shpresuar e luftuar.

“Drita e Amerikës së premtuar do të ndriçojë përgjithnjë për sa kohë ne nuk dorëzohemi kurrë dhe sa kohë ne vazhdojmë të luftojmë”.

Harris falenderoi familjen e saj, bashkëshortin që e thërret “Doug i dashur”, Jill dhe Joe Biden si dhe Tim Walz e familjen e tij. Ajo nuk harron as ekipin, vullnetarët, punonjësit e sondazheve dhe zyrtarët lokalë të zgjedhjeve.

“Jam shumë krenare për garën që bëmë dhe si e drejtuam”.

Kamala Harris u thotë mbështetësve se fushata e saj kishte qëllimin “të ndërtonte komunitete dhe koalicione” dhe është krenare për garën që ajo dhe ekipi bënë. Zëvendëspresidentja shprehet se ekipi i saj është i bashkuar në dashurinë ndaj Amerikës, entuziazmin dhe lumturinë në luftën për të ardhmen e vendit.

Harris shton se fushata u zhvillua me premisën se amerikanët kanë më shumë të përbashkëta sesa ndasi.

“E di se po mbështetësit po përjetojnë dhe ndiejnë një mori emocionesh tani. E kuptoj”, thotë Harris. Por ajo vijon se “ne duhet të pranojmë rezultatet e këtyre zgjedhjeve” ndërsa konfirmon se ka folur me Trump duke e uruar për fitoren.

Ajo deklaron se i ka thënë që do të ndjekin “një transferim të paqtë pushteti” dhe se ajo do të ndihmojë në këtë proces.

“Një parim themelor i demokracisë është të pranosh rezultatin”, thotë Harris. “Kjo e dallon demokracinë nga tirania. Çdokush që kërkon besimin e njerëzve duhet ta pranojë atë. Ne i jemi besnikë Kushtetutës së SHBA, Zotit dhe ndërgjegjes sonë. Nuk do të heqë dorë nga lufta që gratë amerikane të vendosin për trupin e tyre, demokracia, drejtësi të barabartë. Është ok të ndiheni të zhgënjyer. Disa herë lufta do kohë, por kjo nuk do të thotë që nuk do të fitojmë.

Mos u dorëzoni asnjëherë për të bërë botën një vend më të mirë. Ju keni fuqinë dhe mos dëgjoni të tjerët kur thonë se kjo është e pamundur pasi nuk e ka bërë askush”, tha Harris.