Mitaj dhe Berisha, rekordmenët e rinj të Kombëtares… Ndryshimi vetëm 9 ditë!

Kapiteni i U-21 bëri dhe debutimin e tij me Kombëtaren në ndeshjen me Spanjën, duke u bërë dhe lojtari më i ri i Shqipërisë që luan në finalet e një turneu madhor për kuqezinjtë

GJERMANI – Mario Mitaj është pa dyshim një nga lojtarët që i ka surprizuar të gjithë. Mbrojtësi nga Malësia e Madhe spikati që në kualifikuese dhe u konfirmua dhe në “Euro 2024”, duke luajtur tre ndeshje të plota.

Ndonëse në një moshë të re, Mitaj ka treguar shumë personalit në fushë e lojës, duke u përballur si i barabartë me kundërshtarë të një niveli shumë të lartë.

Mario Mitaj arriti që të vendosë dhe një rekord në këtë event, duke u bërë lojtari më i ri i Shqipërisë në një Europian, në moshën 20 vjeç, 10 muaj e 9 ditë. Por ky rekord u mbajt nga mbrojtësi kuqezi për vetëm 9 ditë.

Mesfushori Medon Berisha ishte surpriza e madhe e listës së Sylvinhos në “Euro 2024”. Mesfushori i Lecces, ndonëse nuk kishte luajtur asnjëherë më parë me Kombëtaren, u bë pjesë e listës së brazilianit për në finalet e “Euro 2024”.

Kapiteni i U-21 bëri debutimin e tij me Kombëtaren në ndeshjen me Spanjën, duke u bërë dhe lojtari më i ri i Shqipërisë që luan në finalet e një turneu madhor për kuqezinjtë. Berisha zbriti në fushë në moshën 20 vjeç, 8 muaj e 3 ditë, duke u bërë lojtari më i ri që luan në një europian për Shqipërinë.

Të dy konsiderohen si ndër lojtarët me të ardhme te Shqipëria dhe aktivizimi i tyre që në këtë moshë në një event kaq madhor, është një shenjë e madhe besimi, që pritet të shpërblehet në të ardhmen.