Afro 45,000 vajza të moshës 13-20 vjeç kanë aplikuar vaksinën kundër virusit HPV gjatë 5 viteve të fundit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 10 mijë prej tyre janë vaksinuar vetëm gjatë këtij viti.
Nga janari 2026, në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit kundër virusit HPVdo të përfshihen edhe djemtë e moshës 13 vjeç.
Mjekja Rovena Daja, bën me dije se njihen mbi 150 lloje të virusit të HPV-së, ku shumica prej tyre nuk janë të rrezikshëm.
“Kemi viruset 6 dhe 11 që janë shkaktarët e lythave gjenitalë, si te meshkujt dhe te femrat. Viruset 16 dhe 18 janë ato që në 70% të rasteve japin kancer të qafës së mitrës te femrat. Por, HPV është më i rrezikshëm edhe te meshkujt, pasi ata janë bartës, transmetues, në pjesën më të madhe të rasteve edhe shkaktarë të kancerit gjenital te meshkujt dhe të faringsit”, tha Daja.
Daja shtoi se vaksina ndaj HPV-së aplikohet prej më shumë se pesë vjetësh te femrat në moshën 13 vjeç.
“Përveç vaksinimit te vajzat e moshës 13 vjeç, ISHP organizon dhe vaksinimin shtesë, për të gjitha vajzat që kur kanë qenë 13 vjeç nuk e kanë aplikuar këtë vaksinë. Në total vajzat që e kanë aplikuar këtë vaksinë nga fillimi deri më sot janë mbi 45 mijë dhe vetëm gjatë 2025 janë mbi 10 mijë.
Por, me gjithë problemet që është parë të meshkujt, propozimi është që nga janari 2026 të fillojmë aplikimin e kësaj vaksine edhe te meshkujt që gjatë vitit 2026 do të bëjmë 13 vjeç. Mënyra më e sigurt për t’u ruajtur ndaj HPV është që ne ta aplikojmë këtë vaksinë përpara se të biem në kontakt në moshën 13 vjeç. Një vaksinë që është e licencuar përdoret në të gjithë vendet e botës, dhe ofrohet falas në çdo qendër shëndetësore në kuadër të kalendarit kombëtar të vaksinimit”, përfundoi Daja.













