Më e madhja e të gjitha kohërave

Partia Komuniste në pushtet në Kinë mbajti së fundmi një takim të madh për të shqyrtuar planin e ri pesëvjeçar të vendit. Ky plan do të mbulojë pjesën e mbetur të dekadës dhe do të ndikojë në vendimmarrje për shumë më gjatë. Rreth 370 anëtarë të Komitetit Qendror të partisë morën pjesë. Mes tyre kishte ministra, guvernatorë provincash, gjeneralë, një historian dhe madje edhe një gazetar. Nga rreth 200 anëtarët me të drejtë vote, mbi 50 kanë diplomë në inxhinieri. Ashtu si edhe plani i mëparshëm, dokumenti i ri përfshiu një listë të gjerë “projektesh madhore inxhinierike”, nga restaurimi i ligatinave deri te përmirësimi i aliazheve metalike me rendiment të lartë.

Këto nisma do të mbështeten mbi fuqinë punëtore më të madhe inxhinierike në botë, e cila, sipas vlerësimeve, numëronte mbi 20 milionë persona në vitin 2023. Kina synon gjithashtu të tërheqë talente të huaja. Më 1 tetor, ajo prezantoi një vizë të re “K”, që u mundëson të diplomuarve në shkencë, matematikë dhe inxhinieri të hyjnë në vend edhe pa një ofertë pune paraprake. Vendimi ka irrituar shumë ekspertë vendas të teknologjisë, të cilët e kanë parë si nënvlerësim të aftësive të tyre.

Inxhinieria është shndërruar në një burim krenarie dhe fuqie për Kinën. Sipas autorit Dan Wang, në librin e tij të ri “Breakneck”, vendi është bërë një “shtet inxhinierik”. Pavarësisht etiketave që i vihen, përkushtimi i vërtetë i Kinës është ndaj infrastrukturës dhe industrisë, urave dhe makinerive, ndërtimit dhe prodhimit, si dhe ndaj disa formave më të errëta të “inxhinierisë sociale”, si politika e një fëmije të vetëm dhe politika “zero-COVID”.

Wang e krahason etjen e Kinës për të rindërtuar botën dhe për ta riformësuar shoqërinë me pasivitetin amerikan. Ai shkruan se vendi ku jeton tani është “një shoqëri juridike që bllokon çdo gjë që mundet, të mirë apo të keqe”. Libri i tij kujton një shprehje të njohur që i atribuohet Bill Clinton-it: “Ju keni shumë inxhinierë” thuhet se ka është shprehur gjatë një vizite në Kinë në vitin 1998, “ndërsa ne kemi shumë juristë… le t’i shkëmbejmë!”

Sot, prirja kineze për inxhinieri ka marrë një rëndësi të re. Kina kërkon të zotërojë teknologjitë “strategjike”, si prodhimi i avancuar i çipave, që nuk mund t’i importojë më nga SHBA-ja dhe aleatët e saj. Studentët po i përgjigjen kësaj sfide. Ndër studentët universitarë, 36% regjistrohen në degë të inxhinierisë, një përqindje që ka qenë në rritje, edhe pse numri total i regjistrimeve universitare është zgjeruar.

Ekspertët kinezë argumentojnë se përparimet teknologjike të vendit përfaqësojnë një “dividend inxhinierik”, që po zëvendëson “dividendin demografik”, nga i cili Kina përfitoi në dekadat e kaluara. Por ka forca ekonomike që as edhe një “shtet inxhinierik” nuk mund t’i kontrollojë. Një udhëheqje dhe një trup studentor i mbushur me inxhinierë nuk kanë mundur ta ndalin rënien e prodhimit dhe ndërtimit si pjesë e PBB-së, një pasojë e trendeve të thella të produktivitetit dhe kërkesës.

Ndoshta Clinton gaboi kur tha se Kina kishte shumë inxhinierë, por provat e fundit sugjerojnë se ajo ka shumë ndërtues dhe prodhues. “Etiketa ‘shtet inxhinierik’ përshtatet më pak sot sesa në vitet 1980–2010”, – vëren analisti amerikan Jonathon Sine. Ekonomistët kanë vënë re se industrializimi ndjek një trajektore në formë kurbe, që rritet, arrin kulmin dhe më pas bie. Ndërsa punëtorët zhvendosen nga bujqësia në industri, prodhimi rritet si pjesë e ekonomisë.

Por kur shoqëritë pasurohen, konsumi kalon drejt shërbimeve dhe pesha e prodhimit bie. Këto prirje përforcohen edhe nga ndryshimet e çmimeve: mallrat e prodhuara bëhen më të përballueshme për shkak të rritjes më të shpejtë të produktivitetit, që nuk ndodhin në sektorët e tjerë. Kështu, pjesa e tyre në PBB bie, përveçse kur statistikat llogariten me çmime konstante.

Duket e arsyeshme të mendohet se edhe prirja për inxhinieri ndjek të njëjtën trajektore: ajo rritet ndërsa prodhimi industrial fiton rëndësi dhe bie kur një vend deindustrializohet. Disiplina është më popullore në vendet me të ardhura të mesme të larta, si Malajzia. Gjithashtu, ajo mbetet e fortë në vendet me trashëgimi komuniste, si ish-republikat sovjetike.

Kina nuk përbën përjashtim, përqindjet e saj janë në përputhje me mesataren ndërkombëtare, ku përfshihen edhe arsimi profesional. Edhe ajo vetë e kaloi një “kurbë” të tillë: pjesa e studentëve universitarë të regjistruar në inxhinieri ra nga 36% në vitin 2001 në më pak se 32% midis 2004 dhe 2011. Udhëheqja kineze dikur dukej e pajtuar me këtë model. Plani i saj i 13-të pesëvjeçar (2016–2020) kishte për objektiv rritjen e pjesës së sektorit të shërbimeve në PBB nga 50.5% në 2015 në 56% në 2020.

Edhe përbërja e drejtuesve të lartë reflektonte këtë evoluim: numri i inxhinierëve në nivelet më të larta të partisë u ul duke u zëvendësuar nga menaxherë, ekonomistë, shkencëtarë shoqërorë dhe madje edhe juristë. Në vitin 2013, Cheng Li nga Instituti Brookings shkruante për “ngjitjen e shpejtë” të juristëve në hierarkinë politike të Kinës. “Ky shndërrim i elitës, – shkruante ai, – ka gjasa të ndikojë në politikat socio-ekonomike dhe politike të udhëheqjes”.

Por nuk ndodhi kështu. Në fund të dekadës, udhëheqësit e Kinës u bënë gjithnjë e më të vendosur për të frenuar kalimin drejt shërbimeve. Gjatë presidencës së parë të Donald Trump, kufizimet në eksport pothuajse paralizuan disa nga firmat më të njohura teknologjike kineze, përfshirë ZTE dhe Huawei.

Lavdi inxhinierit

Në përgjigje, Xi Jinping këmbënguli se vendi duhet të ndërtojë një sistem industrial “të plotë”, që ta bëjë më pak të varur nga të tjerët dhe të tjerët më të varur prej tij. Plani pesëvjeçar i miratuar në fillim të vitit 2021 hoqi angazhimin për të rritur pjesën e shërbimeve në PBB dhe premtoi, përkundrazi, ta mbante pjesën e prodhimit të qëndrueshme. Ndërkohë, përqindja e studentëve që zgjidhnin inxhinierinë ishte sërish në rritje, po ashtu edhe numri i inxhinierëve në Komitetin Qendror të Partisë.

Megjithatë, kjo kthesë politike nuk i ka ndaluar vështirësitë industriale. Prodhimi i madh industrial dhe i ndërtimit në Kinë po has vështirësi për të gjetur blerës. Shumë banesa të reja qëndrojnë të pashitura. Çmimet në dalje nga fabrika për produktet industriale kanë rënë për gati tre vjet radhazi. Dhe megjithëse studentët janë të gatshëm të ndjekin studimet e inxhinierisë, kjo nuk do të thotë se janë po aq të gatshëm të punojnë në prodhim.

Një sondazh i vitit të kaluar nga agjencia e punësimit Zhaopin zbuloi se vetëm 8% e studentëve duan të punojnë në sektorin e prodhimit (ndërsa mbi një e katërta parapëlqejnë IT-në). Madje edhe mes atyre që studiojnë shkencë apo inxhinieri, vetëm 37% ndjekin karriera të lidhura me fushën, sipas një artikulli të vitit 2022 nga Qin Fang dhe kolegët e saj në Universitetin Jugperëndimor të Financës dhe Ekonomisë në Chengdu.

Kur Komiteti Qendror i Partisë, me pjesëmarrjen e gjerë të inxhinierëve, të shqyrtojë planin e ri pesëvjeçar, do të duhet të vendosë nëse do të luftojë kundër këtyre trendeve apo do t’u përshtatet atyre. Sinjalet e fundit politike sugjerojnë se udhëheqja kineze mund të theksojë sërish konsumin e shërbimeve si zgjidhje ndaj mungesës kronike të kërkesës në ekonomi.

Nëse ndodh kjo, ata mund të gjejnë ngushëllim në një fabul daoiste që dy ish-udhëheqës, Mao Zedong dhe Jiang Zemin, pëlqenin ta tregonin: Një plak i marrë ishte i vendosur të rrafshonte dy male që i pengonin rrugën, vetëm me një kazmë. Pasi ia kushtoi jetën dhe brezat pasardhës kësaj detyre, perënditë u mahnitën nga këmbëngulja e tij dhe i zhvendosën malet, duke hapur rrugën për udhëtarët që vizitonin fshatin e tij. Edhe ky “projekt hyjnor inxhinierik” ishte, në fund të fundit, në shërbim të udhëtimit dhe turizmit: malet u zhvendosën dhe në vend të tyre lulëzoi një industri shërbimesh./Monitor