TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës për shtyp ka reaguar edhe në lidhje me vendimit të qeverisë për mbylljen me 12 muaj të aplikacionit TikTok. Berisha gjithashtu e cilësoi këtë vendim si një akt censure dhe një përpjekje për të kontrolluar komunikimin e qytetarëve. Gjithashtu Lideri i opozitës tha se Edi Rama e rreshton Shqipërinë krah Afganistanit dhe Iranit.
“Sot në kulmin e fushatës elektorale, narkopadrinoja i Shqipërisë, Toto Rino apo El Chapo njoftoi vendimin e narkoqeverisë së tij për ndalimin e TikTok-ut për 12 muaj. Me këtë akt censure të mbi 1 mln përdoruesve të TikTok në Shqipëri, Edi Rama rreshton Shqipërinë me Afganistanin dhe Iranin. Ky akt censure është një akt i mirëfilltë fanatizmi, intolerance, frike dhe tmerri nga mendimi i lirë dhe shprehja e tij. TikTok është një platformë komunikimi, e cila sot ka pëlqimin masivisht të të rinjve në Shqipëri dhe botë”, tha Berisha.
“T’u heqësh shqiptarëve të drejtën e përdorimit të TikTokut dëshmon se çfarë arbitrariteti. Ripërsërit ekzakt atë që bënte Enver Hoxha, Spiro Koleka, Kristaq Rama gjatë diktaturës, të cilët valëve të radios dhe televizioneve perëndimore u vinin zhurmues në të katër anët e vendit. Me këtë rast ftoj të gjithë gjimnazistët, të gjithë të rinjtë, të gjithë qytetarët të nisim betejën për çlirimin e TikTokut dhe përmbysjen e narkodiktatorit. Me datën 15 mars protestë e përgjithshme kombëtare në sheshin ‘Skënderbej’ para kryeministrisë. Një protestë në të cilën kërkohet anulimi i menjëhershëm i vendimit për censurën dhe bllokimin e TikTokut,” tha Berisha.
