Mbahet Asambleja e PS në Elbasan. Në fokus iahte organizimi për zgjedhjet e ardhshme. Në këtë takim morën pjesë drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit, Arbjan Mazniku, dhe sekretari i përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi. Ata theksuan rëndësinë e përgatitjeve për fushatën elektorale të vitit 2025 dhe objektivin e partisë për të garantuar një Shqipëri të integruar në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
“Partia jonë është e fortë, aktive dhe me shumë energji. Secili nga ne ka përgjegjësitë e tij dhe të gjithë bashkë kemi si qëllim përgatitjen për fitoren e vitit 2025,” tha Klosi gjatë fjalimit të tij, duke nënvizuar se PS tashmë ka filluar strukturimin për garën e ardhshme.
Në këtë Asamble u theksua gjithashtu se vizioni afatgjatë i PS-së shtrihet përtej vitit 2025. “Synimi ynë nuk është vetëm fitorja e zgjedhjeve të radhës, por përmbushja e objektivit të Shqipërisë 2030, një Shqipëri europiane, e cila do të sjellë më shumë mirëqenie dhe zhvillim ekonomik për qytetarët shqiptarë,” shtoi ai.
Një tjetër pikë kyçe e diskutimit ishte angazhimi i të rinjve në radhët e PS-së. Klosi theksoi rëndësinë e përfshirjes së brezit të ri në strukturat partiake. “Rinia do të jetë stafetë për të ardhmen e PS-së. Kjo parti është e hapur dhe ne nxisim të gjithë të rinjtë të bëhen pjesë e platformës sonë politike.”
Mazniku, nga ana e tij, vuri theksin tek përgatitja e programit për Shqipërinë 2030 dhe nevojën për modernizim dhe dixhitalizim të organizatave të partisë, duke përfshirë patronazhistët dhe diasporën. Ai njoftoi se do të zhvillohet një seri takimesh për të hartuar planin “Elbasani 2030,” që do të përfshijë angazhimin e të rinjve dhe zhvillimin e zonës.
Në fund të takimit, u njoftua krijimi i Asamblesë Rinore dhe Shkollës Politike të PS-së për qarkun e Elbasanit, duke garantuar përgatitjen e brezave të rinj për sfidat e ardhshme politike dhe zhvillimore.