Masë “ekstreme”: Rama reagon pas arrestit të Vlora Hysenit dhe kërkon hetim të paanshëm

Menjëherë pas mbërritjes në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” nga vizita zyrtare në SHBA, kryeministri Edi Rama i është drejtuar opinionit publik.

Reagimi i tij lidhet me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar nga Gjykata e Posaçme ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.

Kreu i qeverisë e cilësoi vendimin e gjykatës si një masë “ekstreme”, duke marrë parasysh rëndësinë e institucionit të inteligjencës.

“Zhvillimet e fundit, pas vendosjes së masës të arrestit shtëpie për ish-drejtuesen e SHISH, kërkojnë adresim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë,” deklaroi Rama.

Ai shtoi se ishte një masë ekstreme për shkak të ekspozimit të një institucioni shumë kyç për sigurinë e vendit.

Kryeministri nënvizoi se ekzekutivi nuk ndërhyn në hetimet apo dosjet e organit të akuzës.

“Unë s’kam të drejtën të ndërhyj në përmbajtjen e dosjes dhe çfarë e ka çuar gjykatën ta bëjë,” u shpreh ai.

Rama kërkoi që çdo dyshim të hetohet deri në fund dhe çdo akuzë të provohet ose të rrëzohet përmes një procesi të paanshëm.

Deklarata e kreut të qeverisë vjen përpara mbledhjes së thirrur të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Takimi pritet të mbahet mëngjesin e së hënës në Pallatin e Brigadave për të analizuar situatën e krijuar.