Marta Kos: “Europa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin – Gabimet e së shkuarës duhet të korrigjohen”

Gjatë një deklarate politike të mbajtur sot, Marta Kos theksoi se Bashkimi Europian duhet të përshpejtojë procesin e zgjerimit dhe të përfshijë plotësisht vendet e Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri strategjike për sigurinë e kontinentit.

“Është kënaqësi që jam këtu pak pasi kemi publikuar paketën e zgjerimit të BE-së. Kjo tashmë është një çështje me të cilën po punojmë intensivisht. Europa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin. Ky ka qenë një gabim i së shkuarës, që duhet ta korrigjojmë,” u shpreh ajo.

Kos nënvizoi se vendet e rajonit janë pjesë natyrale e projektit europian dhe duhet të avancojnë institucionalisht drejt BE-së:
“Shtëpia juaj, Europa, po ju pret. Ju jeni pjesë e BE-së; thjesht duhet ta formalizojmë këtë përmes institucioneve.”

Duke folur për Planin e Rritjes, ajo rikujtoi se kanë kaluar dy vite nga zbatimi i tij, ndërsa progresi mbetet i pabarabartë në rajon.
Sipas saj, vetëm 10% e fondeve janë disbursuar deri më tani, ndërsa dy nga gjashtë vendet e Ballkanit nuk kanë nisur ende reformat e kërkuara.

“Shqiptarët, malazezët dhe maqedonasit përfitojnë tashmë nga SEPA. Objektivi ynë është që të gjithë ju të ecni përpara në sinkron. Nuk duam që askush të mbetet pas,” theksoi Kos.

Ajo paralajmëroi edhe për një afat kritik: deri në qershor skadon periudha njëvjeçare për përmbushjen e reformave të mbetura, çka rrezikon bllokimin e 300 milionë eurove fonde.

Në fund, Kos theksoi prioritetet e BE-së për rajonin: uljen e tarifave të roaming-ut, përshpejtimin e përafrimit me rregullat e BE-së dhe krijimin e kushteve më të mira për bizneset dhe qytetarët.