Pavarësisht kushteve të pafavorshme atmosferike, “Marshimi i Paqes” u zhvillua edhe këtë vit në Elbasan, duke sjellë në vëmendje rëndësinë e bashkëjetesës fetare, dialogut dhe mbrojtjes së mjedisit.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të të gjitha komuniteteve fetare, të cilët përcollën mesazhe uniteti dhe përgjegjësie ndaj natyrës. Një nga momentet më domethënëse u shënua gjatë fjalës së myftiut Agim Duka, kur prifti ortodoks Stavri Çipi u afrua dhe i mbajti çadrën për ta mbrojtur nga shiu, duke dhënë një mesazh simbolik të fortë respekti dhe solidariteti ndërfetar.
Ky gjest u prit me duartrokitje nga të pranishmit dhe u vlerësua si një shembull i qartë i vlerave të bashkëjetesës dhe harmonisë që karakterizojnë qytetin e Elbasanit.
Edhe këtë herë, Elbasani u konfirmua si model i tolerancës dhe harmonisë fetare, duke treguar se mesazhet e paqes dhe unitetit mbeten më të forta se çdo kusht atmosferik.













