Avokati Erald Aga ka dhënë sqarime të rëndësishme mbi mënyrën se si qytetarët mund të regjistrojnë ndërtimet e tyre të vjetra të ndërtuara para datës 10 gusht 1991, që ende nuk kanë tituj pronësie. Sipas tij, Ligji nr. 20/2020 parashikon që këto ndërtesa të regjistrohen në emër të ndërtuesit, së bashku me truallin përkatës, për sa kohë sipërfaqja është më pak se 300 m² dhe prona nuk ndodhet në zona të ndaluara si repartet ushtarake, plazhet apo institucionet shtetërore.
Avokati theksoi se edhe pse ligji i ngarkon institucionet si ASHK për të përfunduar procesin brenda gjashtë muajsh, kjo nuk ka ndodhur ende. Ai nënvizoi se ndonëse ligji parashikon që qytetarët nuk kanë pse të bëjnë kërkesa, në praktikë ASHK i detyron ata të sjellin dokumente si harta të korrigjuara dhe deklarata nga fqinjët. Për të shmangur vonesat, avokati këshillon qytetarët që të marrin iniciativën vetë dhe të bëjnë kërkesë për pronat që kanë përpara vitit 1991. Për ndërtimet e reja, duhet të ndiqet procesi i legalizimit pasi të përfundojë regjistrimi i pjesës së vjetër. Ky ligj shihet si një hap pozitiv për zgjidhjen e kaosit pronësor, por zbatimi i tij vijon të hasë pengesa në terren.
Avokati Erald Aga: Po flasim për ndërtesat e vjetra, përpara 10 gushtit 1991, janë shtëpitë e vjetra, janë objekte pa titull pronësie. Ky ligj 2020/20 ka parashikuar të regjistrohen. Kjo pronë do të duhet të kalojë në emër të pronarit që e ka ndërtuar, edhe trualli i kalon automatikisht ndërtimit. Trualli kalon në emër të pronarit të banesës, kur janë më pak se 300 metra katrorë. Kur pronari ka ndërtuar edhe diçka tjetër në demokraci, fillimisht legalizohet ndërtimi i vjetër dhe më pas pjesa e re e ndërtuar. Oborri duhet të mos jetë pronë shtetërore, siç janë repartet ushtarake, plazhet, institucione etj. ASHK duhet të mbaronte procesin për 6 muaj, por nuk ka mbaruar punë ende. Nuk ka nevojë të bëjë kërkesë qytetari, por e bën ASHK mbi bazë të hartave ose e bën me kërkesë të qytetarëve. Ky ligj duket i mirë, por e ka ngarkuar ASHK që të bëjë gjendjen faktike dhe juridike të pronave. ASHK ju thotë qytetarëve që duhet të sjellësh ti hartën e korrigjuar, duhet të marrësh ti deklarata nga fqinjët. ASHK ndryshe ka kompetenca në ligj e ndryshe vepron. Kush ka prona përpara vitit 1991, të bëjë kërkesë. Nëse kanë prona shtesë, do veprojnë kështu me pronën e vjetër dhe më pas për ndërtimin e ri, duhet që të ndjekin procesin e legalizimit.
