Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe ata europianë do të mblidhen sot në samitin e radhës të përbashkët BE-Ballkani Perëndimor. Punimet e samitit do të zhvillohen në Bruksel rreth orës 17:30, aty ku një ditë më parë u zyrtarizua edhe hapja e negociatave të Shqipërisë për klasterin 6 ‘Marrëdhëniet me Jashtë’. Nga Shqipëria, i pranishëm në samit do të jetë kryeministri Rama.
Zhvillimi i rregullt i samiteve të përbashkëta BE-Ballkani Perëndimor është një prej dëshmive se BE-ja e ka prioritet këtë rajon, raportet me vendet e tij, por edhe procesin e integrimit të plotë të tyre në BE. Forcimi i partneritetit mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe përmes integrimit gradual të këtyre vendeve në disa politika të BE-së, do të jetë fokus i samitit, ku pritet të miratohet edhe një deklaratë e përbashkët.
“Zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, stabilitet dhe prosperitet. Ka tash një dinamizëm të ri në procesin e zgjerimit. Përshpejtimi i procesit të zgjerimit, bazuar në kushtet e drejta dhe strikte dhe parimet e meritave individuale, është në interes të përbashkët”, thuhet në deklaratën që pritet të miratohet.
Në kohën e agresionit të Rusisë në Ukrainë, dhe me ndryshimin e rrethanave globale, pritet të ritheksohet se partneriteti mes BE-së dhe vendeve të rajonit është më i rëndësishëm se kurrë.
Pikërisht për të ndihmuar në përshpejtimin e procesit të zgjerimit nga ky samit do të dërgohet thirrja që vendet e rajonit sa më shpejt t’i zgjidhin mospajtimet me fqinjët, si me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ashtu edhe mes vete në rajon.
“Mospajtimet rajonale dhe bilaterale që i kanë rrënjët në të kaluarën për kohë tepër të gjatë kanë penguar fokusimin në të ardhmen. Implementimi i marrëveshjeve bilaterale me mirëbesim dhe me rezultate të prekshme, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë, mbeten kyç”, thuhet në deklaratë..
