MAQEDONI- Lëvizja VLEN ka reaguar ashpër pas një incidenti të ndodhur në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku tre përfaqësues të lartë të këtij subjekti politik janë ndaluar nga autoritetet shqiptare pa marrë një shpjegim zyrtar.
Sipas deklaratës zyrtare të VLEN-it, ndonëse të tre zyrtarët ishin të pajisur me pasaporta diplomatike, ata janë mbajtur në kufi pa u informuar për arsyet.
Nga informacione jozyrtare të marra në vendngjarje nga policia kufitare, zyrtarëve u është thënë se ndaj tyre ekziston një “ndalesë hyrjeje” në territorin e Shqipërisë. Në deklartë, Lëvizja VLEN ka kërkuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë një reagim të menjëhershëm dhe sqarime publike mbi rastin.
Deklarata e VLEN:
“Ndalimi pa shpjegim i tre zyrtarëve tanë kërkon përgjigje zyrtare!
Sot, në pikën kufitare Qafë Thanë, koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, janë ndaluar për rreth një orë pa asnjë shpjegim zyrtar, ndonëse të tre ishin të pajisur me pasaporta diplomatike. Sipas informacioneve të komunikuara jozyrtarisht nga policia kufitare, ndaj tyre paska një ndalesë hyrjeje. Megjithatë, asnjë vendim, dokument apo arsyetim nuk u është bërë i ditur.
VLEN kërkon nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë të informojnë opinionin publik nëse ekziston vërtet një masë e tillë. Nëse po, kush e ka marrë këtë vendim, mbi çfarë baze ligjore është mbështetur dhe cilat janë arsyet konkrete për një veprim të tillë ndaj zyrtarëve të zgjedhur dhe përfaqësuesve institucionalë. Marrëdhëniet ndërshqiptare duhet të ndërtohen mbi transparencë, respekt institucional dhe komunikim të qartë, jo mbi ndalesa të pashpjeguara dhe procedura që lënë vend për dyshime.”, shkruan VLEN.




